Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me rastin e publikimit të raportit “Sfidat ligjore të personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë”, ka thënë se tek rastet e gazetarëve dënimet janë të buta, raporton Betimi për Drejtësi.
“Ky është edhe përfundimi i raportit që nuk merret parasysh si rrethanë rënduese për ata që e kanë kry, fakti që viktimat kanë qenë, gazetarët kanë qenë duke e kry punën e tyre. Nga ajo që pashë, në asnjë prej gjashtë rasteve, nuk ka pasur dënim maksimal, qysh parashihet me Kod edhe vazhdon me mbet shqetësuese që merren parasysh pendimet e atyre që i kryejnë këto vepra, në momentin që shkojnë në Gjykatë edhe luten e kërkojnë falje”, u shpreh Rexha.
Sipas tij, është shqetësuese kur ka raste të recidivistëve dhe gjykata merr si rrethanë lehtësuese pendimin e kryerësit.
“Shqetësuese është që ka raste të recidivistëve, kur është marrë si rrethanë lehtësuese fakti i pendimit. Edhe kjo nuk është përmirësu nga Apeli, pra Gjykata Themelore ka japë dënime, duke i marrë parasysh ato rrethana lehtësuese, Gjykata e Apelit e ka pa edhe nuk e ka ndryshu vendimin e Gjykatës Themelore”, theksoi kryetari i AGK-së.