Studiues në Japoni kanë krijuar një lloj të ri plastike që shpërbëhet në ujin e detit brenda pak orësh, duke ofruar një zgjidhje të mundshme për një nga problemet më të mëdha mjedisore të kohës sonë – ndotjen plastike që prek oqeanet.
Ndërsa shkencëtarët prej kohësh eksperimentojnë me plastika të biodegradueshme, studiuesit nga Qendra për Shkencën e Materialeve në Zhvillim RIKEN dhe Universiteti i Tokios thonë se materiali i tyre i ri shpërbëhet shumë më shpejt dhe nuk lë pas mbetje.
Në një laborator në qytetin Ëako, pranë Tokios, ekipi i shkencëtarëve demonstroi se si një copë e vogël plastike u zhduk brenda një ene me ujë të kripur, pasi u përzie për afro një orë, sipas raportimeve të agjencisë Reuters.
Grupi kërkimor nuk ka zbuluar ende planet për përdorimin tregtar të këtij materiali, por udhëheqësi i tij, Takuzo Aida, tha se tashmë ka interes të madh, veçanërisht nga industria e paketimit.
Në mbarë botën, shkencëtarët janë të angazhuar në një garë për të gjetur zgjidhje novatore për problemin e mbetjeve plastike – një përpjekje që mbështetet edhe nga fushata ndërgjegjësimi si Dita Botërore e Mjedisit, që shënohet më 5 qershor.
Sipas parashikimeve të Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, ndotja plastike pritet të trefishohet deri në vitin 2040, duke shtuar 23 deri në 37 milionë tonë metrikë mbetje plastike në oqeanet e botës çdo vit.
aaaaa