"Resetting" i marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me Evropën - Gazeta Express
string(62) "resetting-i-marredhenieve-te-mbreterise-se-bashkuar-me-evropen"

“Resetting” i marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me Evropën

OP/ED

Gazeta Express

18/07/2024 15:06

Op-Ed nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Blenheim Palace në Oxfordshire është shtëpia e të parëve të familjes Marlborough. Në vitin 1874, brenda këtyre mureve u lind Winston Churchill, udhëheqësi më i madh i Britanisë në kohë lufte gjatë shekullit të 20-të, përpjekjet e të cilit, së bashku me të aleatëve, e bënë të mundur që demokracia dhe paqja të vinin në Evropë.  

Lexo Edhe:

Nuk do të kishte mjedis më të përshtatshëm se ky pallat për kryeministrin Sir Keir Starmer që të mblidhte krerët e shteteve dhe qeverive nga e gjithë Evropa, jo vetëm nga BE-ja, për samitin e katërt të nivelit të lartë të Komunitetit Politik Evropian që po e mbajmë sot.  Është kënaqësi për ne ta mirëpresim Presidenten Osmani si një nga këta mysafirë të nderuar. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të shfrytëzojë samitin për të diskutuar rreth bashkërendimit më të ngushtë për trajtimin e migrimit të paligjshëm dhe bashkëpunimit më të madh për çështje të sigurisë me homologët evropianë.  Kjo është gjithashtu hera e parë që në një takim të Komunitetit Politik Evropian do të jenë të pranishëm përfaqësues të NATO-s, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të Këshillit të Evropës.

Për Qeverinë tonë, siguria evropiane do të jetë prioriteti i politikës së jashtme dhe për mbrojtjen. Lufta totale e nisur nga Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës e ka treguar se siguria e Mbretërisë së Bashkuar është e pandashme nga ajo e pjesës tjetër të kontinentit evropian. Por ne jemi më të fortë kur punojmë së bashku. Kjo është arsyeja pse dëshirojmë t’i ripërcaktojmë marrëdhëniet tona me Evropën.

Përgjatë shekujve, rrugëtimet tona individuale dhe kombëtare janë bërë bashkë për të treguar një storje më të gjerë të përparimit të përbashkët. Sot, ne të gjithë ndajmë përkushtimin ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare. Përvojat tragjike të së shkuarës së përbashkët të kontinentit tonë – njësoj sikurse në Ballkanin Perëndimor – na kanë ndihmuar ta kuptojmë se siguria dhe begatia jonë e përbashkët varen nga këto vlera të përbashkëta.

Nëse duam t’i përmbushim ambiciet tona për ridimensionim, na duhet t’i përmirësojmë marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Evropian. Komuniteti Politik Evropian do të jetë një mundësi për qeverinë e re britanike për të dëgjuar prej jush se si mund ta ringremë besimin dhe t’i ripërcaktojmë marrëdhëniet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Qeveria e re do të diskutojë propozimin e saj ambicioz dhe me rreze të gjerë për një Pakt për Sigurinë ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, i cili do të mbështeste bashkëpunimin më të ngushtë midis nesh, duke mishëruar një partneritet të ri gjeopolitik.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian do ta përqendrojë vëmendjen e qeverive evropiane në përballjen me këtë sfidë të sigurisë që vjen një herë në jetë, në nevojën për të siguruar që Ukraina t’i bëjë ballë dhe ta zmbrapsë pushtimin e paligjshëm dhe imoral të Rusisë.

Qeveria e re britanike do të ndryshojë nga ajo paraardhëse në shumë aspekte kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe të brendshme. Por është një çështje për të cilën presim vazhdimësi dhe konsensus. Në qeveri, kryeministri Starmer dhe ekipi i tij do të qëndrojnë të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe sigurisë më të gjerë evropiane.

Ashtu siç e ia treguam Rusisë se gabonte kur ia hante mendja se Ukrainën do ta nënshtronte brenda disa ditësh ose javësh, po kështu duhet t’ua tregojmë atyre që dyshojnë në vendosmërinë tonë se gabohen kur e bindin veten se Perëndimit do t’i bjerë interesimi për Ukrainën dhe do ta braktisin me cinizëm.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian vjen menjëherë pas samitit për përvjetorin e 75-të të NATO-s të mbajtur në Uashington më herët gjate këtij muaji, ku Kryeministri Starmer iu bashkua homologëve të tij nga aleatët e NATO-s, si dhe mysafirëve si Presidentja Osmani, për të kremtuar treçerek shekulli të mbrojtjes dhe deterrencës kolektive, si dhe për t’u zotuar për të ecur përpara së bashku si garantues të sigurisë evropiane.

Britania do të vazhdojë të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rolit krucial që luan KFOR-i në Kosovë, ku NATO ka ndihmuar në sjelljen e stabilitetit për më shumë se dy dekada. Mbretëria e Bashkuar ka qenë kontribuuese kyçe në KFOR që kur hyri për herë të parë në Kosovë në vitin 1999. Prania e vazhdueshme e personelit ushtarak britanik në KFOR nënvizon përkushtimin tonë të palëkundur për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Britania është zotuar ta tejkalojë cakun e NATO-s për të shpenzuar çdo vit 2% të BPV-së për mbrojtjen. Synimi ynë është të arrijmë 2.5% sa më shpejt që të jetë e mundur. 

Për dallim nga kohët e Churchill-it, Britania nuk është në luftë, por as nuk ka paqe në Evropë. Si nikoqirë krenarë të Samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian, ne jemi të vendosur të demonstrojmë unitet dhe përkushtim në këto kohë sfiduese, duke garantuar rendin e bazuar në rregulla në mbarë Evropën, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Churchill-i nuk do të priste asgjë më pak.

Jonathan Hargreaves është Ambasadori Britanik në Kosovë