Në një shtet ku pabarazia gjinore është fakt dhe shtypja gjinore e përditshme, ka kushte të mjaftueshme që femicidi të jetë prezent. Në një shtet ku krimi ndaj vajzave e grave nuk e merr ndëshkimin e merituar dhe autorëve edhe iu mundësohet ta përsërisin veprën, rastet e femicidit do të lulëzojnë, shumë e më shumë. Nëse paralelisht me ketë mbizotëron heshtja apo reagimi “ad hoc” ndaj këtyre akteve kriminale, atëherë prej tash le ta ndërrojmë emrin shtetit. Le ta quajmë Republika e Femicidit
Shkruan: Shkodran Hoti
29 nëntori ishte dita e fundit e jetës për Liridona Ademajn. Për këtë u përkujdes një burrë, bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Liridona është edhe një grua viktimë, kurse Naimi edhe një burrë vrasës. Ne të tjerët, spektatorë të vrasjeve mizore që mbulojnë njëra-tjetrën. Ne të tjerët, një grumbull i të pikëlluarve që vajtojmë e revoltohemi tre ditë, e pastaj i kthehemi normalitetit deri në vrasjen e radhës.
Liridona s’është viktima e parë. Hiç se hiç e fundit. Ajo është edhe një varr i ri në Kosovë, brenda të cilit dikush përfundon sepse është grua. Dheu që rëndon mbi të e shumë arkivole të tjerë, është i përgjakur historikisht e brez pas brezi nga burra shtypës, abuzues, dhunues e vrasës. Nga burra kriminelë, që erdhën në jetë prej grave për t’ua marrë jetën grave.
Liridona u vra. Ajo do të jetë edhe një emër në listën e gjatë të grave që u privuan nga jeta prej burrave. Atyre grave që vdekja përveç se frymëmarrjen, ua ndali edhe dhunën e abuzimin konstant prej burrave. Grave që pas një jete të jetuar duke u dhunuar, dhunshëm u përfundon edhe jeta. Këtë dhunë që shpesh s’e mori vesh askush, e kur e morën e u raportua për të, shumë shpesh nuk u reagua. U lejua të ndodhë deri në një moment fatal.
Liridona është një e vrarë në nëntorin e viti 2023. Asaj iu mor jeta në një muaj, që u raportua për dhunë edhe ndaj 118 grave të tjera. Ndaj 85 grave u ushtrua dhunë fizike. 10 të tjera përjetuan sulme të ndryshme. 13 u kanosën. 3 ishin viktima të dhunës seksuale. 6 u sulmuan apo u ngacmuan seksualisht. 1 ndonëse e mitur, u detyrua të bashkëjetojë me një burrë. E, kushedi edhe sa të tjera çka ka mundur të përjetojnë, pa e marrë vesh Policia dhe kushdo tjetër. Përafërsisht e mesatatisht, në secilën prej 30 ditëve të nëntorit, zyrtarisht pothuajse 4 gra kanë qenë viktima të dhunës në bazë gjinore.
Nga këto raste të raportuara, janë 40 familjarë që kryen dhunë mbi bazë gjinore. Janë pastaj 38 partnerë apo bashkëshortë që kryen të njëjtat vepra. 10 nga ta janë ish-partnerë apo ish-bahkëshortë. Kurse, 22 janë persona të tjerë që cenojnë tjetrin veç pse është vajzë/grua, pa e njohur fare. Pra, krejt këta janë protagonistë të lajmeve terrorizuese: “Burri vret gruan”, “Babai rrah vajzën”, “Vëllai sulmon motrën”, “53-vjeçari dyshohet për dhunimin e 15-vjeçares”, etj..
Për veprar të cilat i bënë këta dhunues vetëm gjatë një muaji, 79 u dërguan në mbajtje, 17 u liruan me procedurë të rregullt, 7 janë duke u hetuar e 9 të tjerë janë të arratisur. Ky është rezultati i reagimit të parë institucional, por në trajtimin e mëtejshëm të këtyre rasteve, përvoja na mëson se është shumë e gjasshme se shumë nga ta mund të mos bartin asnjë pasojë e të tjerë të marrin ndonjë dënim simbolik. E me një trajtim të tillë, u krijohen mundësitë e reja këtyre burrave, me mendësinë e vjetër, t’i përsëritin veprat.
Kjo është vetëm pasqyrë e nëntorit. Sidoqoftë, të tillë situatën e kemi në plot muaj përgjatë shumë viteve. Dhe, kjo s’është e rastësishme. Ky është vetëm rezultat i natyrshëm i një shoqërie që thuajse e ka normalizuar shtypjen e krimin ndaj grave dhe vajzave. Këto statistika janë pjellë e një reagimi institucional të butë ndaj kriminelëve, gati sa përkdhelës.
Kosova, vit pas viti, është përballur me gjitha format e dhunës me bazë gjinore. E për shkak të gjinisë së tyre, shumë gra e vajza, më s’janë mes nesh. Kjo formë ekstreme e dhunës botërisht njihet edhe si femicid. E forma të tij, gjejmë historikisht të instaluara në shoqërinë tonë. Gratë në vendin tonë janë dhunuar e vrarë në emër të “nderit”, janë dhunuar e vrarë nga paaftësia për t’i pranuar si të barabarta dhe janë dhunuar e vrarë edhe atëherë kur s’kanë mundur ta durojnë tutje jetesën me abuzuesit.
Në një shtet ku pabarazia gjinore është fakt dhe shtypja gjinore e përditshme, ka kushte të mjaftueshme që femicidi të jetë prezent. Në një shtet ku krimi ndaj vajzave e grave nuk e merr ndëshkimin e merituar dhe autorëve edhe iu mundësohet ta përsërisin veprën, rastet e femicidit do të lulëzojnë, shumë e më shumë. Nëse paralelisht me ketë mbizotëron heshtja apo reagimi “ad hoc” ndaj këtyre akteve kriminale, atëherë prej tash le ta ndërrojmë emrin shtetit. Le ta quajmë Republika e Femicidit.