Republika e dështakëve - Gazeta Express
string(22) "republika-e-deshtakeve"

Republika e dështakëve

OP/ED

Gazeta Express

06/01/2024 20:14

Nuk dështojnë shtetet vetvetiu, por është faktori njeri ai që i bën ato të dështojnë. Ne edhe mund ta kemi ëndërruar një shtet më të mirë, por e vërteta është se ky është shteti që ne duam. Ky është shteti për të cilin ne punojmë. Ky është shteti që ne kemi ndërtuar; një shtet ku, pothuajse, secili nuk dëshiron të jetoj në të.

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Shekulli XX në historinë moderne botërore është një nga shekujt më tronditës. Duket edhe sikur zhvillimi shkencor po kontribuonte që ky shekull të jetë sa më mizorë. Dy luftërat botërore, burgu komunist, nacionalizmi vrastar ishin faturat që bota, e sidomos ajo perëndimore, do t’i paguante. Këtë zymtësi duket se do ta përmbyllnin luftërat në ish Jugosllavi. Mirëpo, siç duket bota perëndimore nuk e kishte ndërmend që shekullin XXI ta fillonte me dramat e shekullit XX. Për gjithë këtë cikël dhune, vuajtjesh e mizorish, edhe si një lloj revolte ndaj kësaj të keqe, perëndimi do të ndërmerrte një nga veprimet më dramatike, bombardimin e Jugosllavisë së mbetur, për  çlirimin e Kosovës. Çlirimi i Kosovës duket se ishte një lloj shërimi për ndërgjegjen e vrarë të Perëndimit. Liria e shqiptarëve të Kosovës u përjetua nga perëndimi edhe si çlirim nga makthi që i kishte shkaktuar ky shekull. Pra, fundi i shekullit XX, vitet 1998-1999, ashtu siç i kishte emëruar edhe publicisti Blerim Shala në librin e tij, vërtetë ishin Vitet e Kosovës, por edhe për perëndimin ishte një lloj çlirimi, sepse po përmbyllte një spirale të dhunës gati njëqindvjeçare.

Liria për shqiptarët e Kosovës po premtonte edhe shtetin e tyre, i cili do të pasojë gati një dekadë pas çlirimit. Mirëpo, entuziazmi i madh i lirisë dhe i shtetit shumë shpejt do të venitet. Të jetuarit gjatë nën okupim, në shtete që ishin për të gjithë, por jo edhe për ne, mendja të thotë se ne do të silleshim në mënyrë të shkëlqyer me shtetin tonë. Dikush që ka jetuar nën trysni dhe rregulla që ia kanë përcaktuar të tjerët, do të ishte e udhës që tani në shtetin e vetë, i lirë, do të sillej me përgjegjësi të lartë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe vazhdon të mos ndodh (sic!). Që nga çlirimi, e sidomos që nga pavarësia e deri më sot kemi ndërtuar dhe vazhdojmë ta ndërtojmë një shtet që nuk e duam. Përditshmëria jonë, veprimet tona janë tregues i kësaj mosdashnie. Koncepti i dikurshëm i “derrzhavës” u etablua në Republikën e Kosovës. Për ne e përbashkëta nuk është e askujt, pra, “derrzhava” është për hesape të gjithsecilit.

Kur po ndodhnin mbindërtimet nëpër qytete të Kosovës menjëherë pas luftës, secili i vërenim, por askush nuk protestonte. Uzurpimet nuk shiheshin si krim, por si zotësi. Njerëzit filluan t’i bënin temena banditëve dhe t’i konsideronin të marrë ata që përpiqeshin të jetonin nëpërmes djersës së vet. Secili në pozitë e tij u korruptuam. Aq thellë ka shkuar korrupsioni sa që është bërë mënyrë jetese. Paraja publike zhvatej e zhvatet në mënyrë brutale. Politikani ordiner u bë busulla e shoqërisë. Nga do t’i hedhësh sytë sheh mbeturina gjithandej. Kosova është bërë një deponi e madhe bërllogu. Lejuam që mjeku të na kurojë me barëra popullore, kurse hoxha të na i edukojë fëmijët. Për edukator morëm njerëz të pa edukatë, kurse mësues ata që nuk dinë rrjedhshëm shkrim e lexim. Ushqehemi me produkte me afat të skaduar ose që nuk iu dihet origjina. Vrasim gra dhe gjykatat na lirojnë në procedurë të rregullt. Lumenjtë tanë janë deponi mbeturinash në lëvizje. Pyjeve u kemi shpallur luftë. Kosova i ngjan një varri të madh masiv veturash. Mbyllim shkolla, hapim kafiteri e qendra tregtare. Më shumë kemi media se sa biblioteka. Mediat janë të mbipopulluara me doktor të gazetarisë. Ekonomin e kemi të koncentruar në tiketa trafiku dhe në import. Më së shumti eksportojmë njerëz. Tokën e kemi lënë djerrin, sepse njëzetekatër orë punojmë në ‘tokën’ e Mark Zuckerberg-ut. Vrapojmë pas politikanëve demagog, e pas muzikës pa sens. Qendrat spitalore ngjajnë si kamp lufte. Çdo i dyti ka një gradë shkollimi “Master”, por askush nuk mendon me kokën e vet. Feja është bërë sport kombëtar. Taksat i përjetojmë si haraç. Kërkojmë punë ku nuk punohet. Për secilin dështim tonin në jetë, e pështyejm shtetin sepse besojmë se fajet për këtë i ka ai.

Pra, me një fjalë, ajo magjia e fundshekullit XX që kishte kulmuar me lirinë tonë dhe me shtetin më pastaj, ka humbur pothuajse tërësisht. Secili kemi kontribuar në këtë ç’magjepsje. Secili kemi kontribuar, kush më pak e kush më shumë, varësisht nga pozita që kemi, që ky shtet të shkoj drejtë  dështimit. Në fakt Republika e Kosovës është e populluar nga dështakët, nga njerëz që nuk ja kanë idenë se si mund ta funksionalizojnë shtetin dhe ta rregullojnë mirëqenien e tyre. Nuk dështojnë shtetet vetvetiu, por është faktori njeri ai që i bën ato të dështojnë. Ne edhe mund ta kemi ëndërruar një shtet më të mirë, por e vërteta është se ky është shteti që ne duam. Ky është shteti për të cilin ne punojmë. Ky është shteti që ne kemi ndërtuar; një shtet ku, pothuajse, secili nuk dëshiron të jetoj në të.