Repriza e Veriut në Kuvend, Kurti e opozita u përfshinë në një luftë të vogël - Gazeta Express
string(75) "repriza-e-veriut-ne-kuvend-kurti-e-opozita-u-perfshin-ne-nje-lufte-te-vogel"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2022 15:58

Repriza e Veriut në Kuvend, Kurti e opozita u përfshinë në një luftë të vogël

Lajme

Gazeta Express

04/08/2022 15:58

Një debat i ashpër në Kuvend u paralajmërua që në nisje. Një këshillë e Avdullah Hotit s’u mor parasysh dhe debati i sotëm për Veriun vijoi me përplasje. Kurti dhe opozita shkuan deri në drejtimin e akuzave të rënda se njëra palë dhe tjetra po punojnë qëllimshëm kundër interesit të vendit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Një seancë e Kuvendit që planifikohet të jetë e gjatë me 35 pika në rendin e ditës, nisi sot me deklarime, replika e kundërreplika të ashpra mes kryeministrit dhe deputetëve lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Pjesa e deklarimeve jashtë rendit të ditës u shndërrua në një debat të nxehtë në krye të seancës. Pas disa kritikave drejtuar Qeverisë nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e nisi një përballje frontale me kryeministrin Albin Kurti.

Abelard Tahiri tha se kryeministri Kurti “s’ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë” me Serbinë.

“Kjo përzgjedhje selektive e masave të reciprocitetit duke qenë i vetëdijshëm se Serbia dhe politikat e saja ndaj konsolidimit tonë të brendshëm janë shumë destruktive, siç ishte rasti i fundit, po na jep përshtypje se para se këto masa janë qëllime instrumentale”, tha Tahiri.

Ablard Tahiri

Një këshillë e ish-kryeministrit Avdullah Hoti nuk u mor parasysh. Ai iu tha qeveritarëve e deputetëve se “nuk kemi nevojë të bëjmë garë se kush po shprehet më ashpër për këtë temë”.

“Është fakt që koordinim të brendshëm nuk ka pasë, konsultime të vazhdueshne me opozitën për këto tema. Dhe duket, nga informatat që kemi pa… koordinim të duhur ndoshta me partnerët tanë ndërkombëtarë nuk ka pasur”, tha Hoti.

Avdullah Hoti

Deputeti Ramush Haradinaj e nisi vrullshëm, duke përqeshur sjelljen e kryeministrit gjatë zhvillimeve të fundit duke e përshkruar si të dëgjueshëm ndaj të huajve.

“Në VV po e shoh se janë të ekzaltuar se ndërkombëtarët po e lavdojnë qeverinë se kryeministri i tyre është bë ‘good guy’. Vërtetë është bërë ‘good guy’ Albin Kurti. ‘He is a good guy now’, por është një problem tash pas këtij ‘good guy’ dhe ju duhet ta analizoni pak”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kurti është futur në një “qorrsokak”

“Dijeni se ky është qorrsokak. Mundemi me dalë prej kësaj situate kryeministri ynë pa u bë menjëherë ‘problematic guy’, veç t’i kryejnë do punë të shpisë. E duhet me ua rritë rrogat policëve që ka me i çu në veri. Ky s’është kah e merr vesh që njerëzit është kah i çon në Veri e vet rri në jug”, tha Haradinaj, duke shtuar se “1 shtatori vjen shpejt” dhe se “është marre Kosova sa herë të niset me u kthy mbrapa”.

Ramush Haradinaj

Në një replikë që nisi si për të gjithë kritikuesit, Kurti e goditi specifikisht Haradinajn.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 vjetëve, ne po zbatojmë tani”, tha Kurti si përgjigjje për opozitën. Më pas, u mor me Haradinajn.

“Vetëm ta keni parasysh, para 4 viteve kryekrimineli atje është pritur në zyrën e kryeministrit. A sot ka fletëarrest dhe është në listën e zezë të Thesarit Amerikan. Ky është dallim i madh… Andaj ju lutem mos më shisni moral dhe patriotizëm sepse ju njohim mirë”, tha Kurti.

Albin Kurti

Haradinaj i replikoi duke e përdorur sërish shprehjen ‘good guy’. Me këta persona, ai tha se nuk di si të sillet, por i kërkoi Kurtit të marrë masa ndaj ministrit Goran Rakiq.

“Kryeministri tha ‘mos shit moral’. Vërtetë s’kam kujt me ia shitë, se ia kisha shitë. Por atij që është bërë ‘good guy’ më s’di në çfarë drejtimi me i shitë moral… Mos merr merita për listën e zezë, tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd. Njëjtë si ai tjetri është. Ti je në tavolinë me të”, tha Haradinaj.

“Gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Absolutisht unë nuk e kuptoj çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’”, tha ndër tjerash Kurti, ndërsa ia ktheu ish-kryeministrit.

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj ishte goxha i drejtpërdrejtë – si rrallëherë – duke iu drejtuar Kurtit në Kuvend.

“Cili është zingjiri i ngjarjeve që do të prodhohet, edhe me takimin e gushtit, edhe me situatën e 1 shtatorit? A është qëllimi që me e kriju Asociacionin, që me kriju fakte në terren vet ata kriminelë? Një pjesë të tyre i keni edhe në Qeveri, se Rakiqi po flet”, pyeti Hoxhaj.

Ai tha se kryeministri ka krijuar probleme me të cilat tani duhet të merret vet.

Enver Hoxhaj

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se “asnjë parti nuk ka punuar më shumë për veriun, për sovranitetin dhe shtetin, sesa Partia Demokratike”, si për ta ftuar këtu Kurtin në një arenë tjetër përballjeje.

“Çka po thu i nderuar Albin me këtë logjikë se pse s’u bë ajo ose s’u bë kjo deri tash, ne kur është shpallur pavarësia në vitin 2008, ish dashtë me thënë pse kjo punë s’u bë në vitin 1912, a 1945, a 74-tën, a të 81-tën”, tha Haxhiu.

Kurti i replikoi duke i folur për një “dallim të madh”.

“Unë subjketim tim s’e përmenda asnjëherë. Unë nuk thash se këtë e kanë bërë anëtarët e subjektit tim ku jam kryetar. E kan bërë zyrtarët e shtetit. E kanë bërë zyrtarët e doganave, zyrtarët e policisë. Shteti i cili është i përbashkët, i ka arritur këto suksese”, tha ai.

“Por nëse ne kemi merita, është që ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime. Sepse përpara ka dirixhu partia. Partia ka thënë bën, partia ka thënë s’bën. Edhe partia ka thënë a e kemi njeriun tonë atje, e jo sa cilësor është për nga profesionalizmi e sa i ndershëm për nga integriteti. Pra, ky është dallimi i madh”, shtoi kryeministri.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-ja ia përmendën Kurtit vazhdimisht ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, pasi ky i fundit zgjedhte të fliste kryesisht për “kryekriminelin Milan Radoiçiq”.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj dhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha e pyetën Kurtin për dallimin mes Rakiqit dhe Radoiçiqit. Berisha i tha se “Rakiq s’mund të jetë një ditë ministër e një ditë në barrikada”.

“A janë krejtësisht të ndryshëm Rakiqi dhe ai kryekrimineli Radoiçiqi, nuk mund ta them sepse janë në të njëjtin subjekt. A janë identikë? Prapë s’mund të them. A e dini pse? Se ai kryekrimineli është në listë të zezë dhe ka fletëarrest, si dhe në listë të zezë s’është Rakiqi sikurse ai kryekrimineli. Pra, nuk janë të identikë”, u përgjigj Kurti.

Kurti iu përgjigj po aq ashpër edhe kërkesës nga AAK-ja për t’ua rritur pagat policëve. Kjo kërkesë, sipas tij, ka për qëllim t’ua dëmtojë moralin policëve para 1 shtatorit, kur planifikohet të nis zbatimi i masës së reciprocitetit për letërnjoftime.

“Keni garu me rritje pagash dhe keni humbë. Prandaj parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ne do ta bëjmë ligjin e ri të pagave”, tha Kurti.

Më të bashkuar u dukën pozita dhe opozita të dielën në mbrëmje, kur pati të shtëna, barrikada e njerëz me maska që maltretonin qytetarë në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, pak para se të hynin në fuqi dy vendime që Qeveria e Kosovës i mori në fund të qershorit. Vendimet kishin të bënin me reciprocitetin në çështjen e letërnjoftimeve dhe për zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë të Kosovës.