Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë brenda një burgu në Kaliforni tregojnë momentin dramatik kur reperi kanade, 42 vjeç, goditet 14 herë me thikë nga një tjetër i burgosur.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 12 majit në Institucionin Korrektues të Kalifornisë në Tehachapi, ku Lanez po vuan një dënim 10-vjeçar për plagosjen e artistes Megan Thee Stallion. Sulmuesi është identifikuar si i burgosuri Santino Casio.
Në videon 39-sekondëshe të publikuar nga portali The Shade Room, Lanez shihet duke dalë nga qelia dhe duke qëndruar pranë shkallëve, kur papritur Casio e sulmon me një seri goditjesh të dhunshme. Reperi përpiqet të mbrohet, por bie në dysheme, ndërsa sulmuesi e godet në mënyrë të përsëritur. Pamjet tregojnë momentet e tmerrshme kur Lanez përpëlitet mes një pellgu gjaku dhe bërtet me dëshpërim: “O Zot!”.
Asnjë punonjës burgu apo i burgosur tjetër nuk ndërhyn gjatë sulmit. Vetëm në fund të videos, reperi arrin të zvarritet poshtë shkallëve dhe del nga pamja e kamerës.
Përfaqësuesit e Lanez kanë konfirmuar se ai ka marrë 14 plagë me thikë.
Sipas deklaratës, dy mushkëritë e reperit kishin kolapsuar dhe ai u vendos menjëherë në aparaturë ndihmëse për frymëmarrje. Aktualisht, Lanez po merr frymë vetë dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme, ndërsa familja dhe ekipi i tij falënderojnë Zotin dhe fansat për lutjet dhe mbështetjen.
Departamenti i Burgjeve të Kalifornisë ka nisur një hetim të plotë mbi incidentin. Deri më tani, nuk janë dhënë detaje mbi motivin e sulmit apo sigurinë brenda institucionit.
Tory Lanez po vuan një dënim 10-vjeçar të shpallur në vitin 2023, pasi u shpall fajtor për plagosjen me armë zjarri të Megan Thee Stallion në korrik të vitit 2020. Sulmi i fundit ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e të dënuarve me profil të lartë në burgjet amerikane.