Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja shënoi rënie në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që vlera e projekteve të miratuara është rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistiakve (INSTAT), në periudhën janar-mars 2025 janë miratuar 258 leje ndërtimi, që përfaqëson një ulje prej 17%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024, kur ishin miratuar 311 leje.
Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtim këtë tremujor ishte 335137 metra katrorë, me një ulje prej 6,3 % nga e njëjta periudhë e një viti më parë 357585 m².
Megjithatë, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, përfshirë ndërtesat dhe punimet inxhinierike, arriti 20,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47,6 % krahasuar me vitin 2024, kur ishte 13,6 miliardë lekë.
Ndërtimet për banim dominojnë me 188 leje dhe një sipërfaqe ndërtimi prej 215,418 m², ndërsa ndërtesat jo-rezidente, hotele, objekte tregtare dhe industriale, përbëjnë 70 leje me një sipërfaqe prej 119,719 m².
Qarku i Tiranës vijon të mbajë peshën kryesore me 72 leje ndërtimi dhe një sipërfaqe prej 201,237 m², megjithëse edhe ky qark ka shënuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje të ndjeshme të vlerës së projekteve ndërtimore janë regjistruar në qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier, duke reflektuar një dinamikë pozitive të aktivitetit ndërtimor jashtë kryeqytetit.