Rënia e vizatuesit të kufijve - Gazeta Express
string(29) "renia-e-vizatuesit-te-kufijve"

OP/ED

Gazeta Express

13/05/2022 13:44

Rënia e vizatuesit të kufijve

OP/ED

Gazeta Express

13/05/2022 13:44

Ish-kryeministri slloven Janez Jansha, mik i Milorad Dodikut e Viktor Orbanit, promovonte opcionin e ndryshimit të kufijvë në Ballkan. Largimi i tij nga pushteti nuk është lajm i mirë për ata që mbështetin këtë qasje.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Ende nuk dihet se çfarë politike karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndjek kryeministri i ri slloven Robert Golob, por gjithesi pritet të ketë qasje tjetër krahasuar me pasardhësin e tij Janez Jansha. Golob, i rikthyer në politikë, ia doli ta rrëzojë nga pushteti Janshën populist.

Edhe pse ishte deklaruar haptas për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, Jansha ka mbështetur publikisht Milorad Dodikun, politikanin prorus në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për Janshën është raportuar edhe se është autor i “non paper”-it për ndryshimin e kufijve në Ballkan, një ide që ishte konsideruar e rrezikshme nga akterë politikë rajonalë.

Një profesor i Fakultetit Filozofik në Lubjanë ka thënë se shumica e sllovenëve e konsiderojnë të rëndësishëm anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Por, nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Golobit për këtë çështje. Gjatë fushatës zgjedhore, ai më tepër është fokusuar në digjitalizim, inovacion dhe politika të gjelbra.

Në fakt, Golob ka rritur një fitore historike me subjektin e vet Lëvizja e Lirisë. Partia e tij ka marrë rreth 36 për qind të votave, respektivisht 41 deputetë në parlament, sukses që deri më tash nuk e ka arritur askush tjetër në historinë e demokracisë sllovene. Duket se votuesit janë orientuar majtas pasi që kanë kundërshtuar politikat djathiste të Janshës, por ky rezultat është arritur edhe falë votimit “taktik” të partive më të vogla të spektrit të majtë.

Analistë ndërkombëtarë konsiderojnë se Golob mund ta ndalojë politikën që përkrah ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe të vendos një linjë të qartë për njerëzit që promovojnë ide të tilla, siç janë Milorad Dodik dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban. Vlerësohet se Golob do ta kthejë politikën e jashtme sllovene në kursin para ardhjes së Janshës në pushtet, pra që pozicioni i Sllovenisë të jetë më në linjë me Brukselin sesa deri tash.

Janez Jansha ka ardhur në pushtet bashkë me koronavirusin dhe u largua nga pushteti bashkë me fundin e pandemisë. Votuesit e ndëshkuan për shkak të dyshimeve të keqpërdorimit të situatës me pandeminë për biznese të pista me kompani dhe individë të afërt me pushtetin.

Po ashtu, votuesit ia kanë zënë për të madhe atij edhe se shoqërinë e ka shtyrë drejt liberalizmit, në stilin e aleatit të tij më të madh, Viktor Orbanit.

Jansha është miku më i mirë i Orbanit, kurse Orban një ndër miqtë e mire të

Vladimir Putinit. Në politikë praktikisht don të thotë që “miku i mikut tim ka gjasa të jetë edhe miku im, e jo kundërshtari im”. Jansha ka vizituar kryeqytetin e Ukrainës, gjë që ishte parë si një përkrahje për presidentin ukrainas, por analistë të ndryshëm kanë thënë se në këtë mënyrë ai vetëm kishte dashur të kamuflojë simpatinë dhe lidhjet e tij me Orbanin dhe Putinin.

* * *

Por pse është e rëndësishme për Kosovën se çfarë mund të ndodh në Slloveni dhe cila mund të jetë qasja e kryeministrit të ri dhe pozicioni i këtij shteti në kuadër të BE’së? Sigurisht, jo vetëm për shkak të dyshimeve për përzierje në skandalin financiar të ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishajt.

Sllovenia vazhdimisht ka mbështetur Kosovën dhe është e rëndësishme që mbështetja të vazhdojë. Por, qasja e Janshës si një ndër, në mos ideatorët atëherë përkrahësit e idesë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, ishte problematike.

Një politikë të tillë nuk e mbështetin as BE, as SHBA, që angazhohen për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Në një situatë të ndjeshme, kur dialogu me Serbinë është bllokuar dhe kur amerikanët po duan që të lëvizin nga status quo-ja, është e rëndësishme se çfarë politike ndjek karshi kësaj çështje secili shtet anëtar i BE’së.

Lidershipi kosovar duhet ta shfrytëzojë këtë moment kur diplomacia amerikane është e interesuar që të çojë përpara dialogun dhe të arrijë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Çdo përpjekje për t’iu shmangur këtij kursi nënkupton lëvizje të gabuar me pasoja vështirë të rikuperueshme. Andaj, është e rëndësishme që shansi të mos lëshohet dhe Kosova të tregohet e gatshme dhe aktive në procesin e dialogut.

* * *

Me largimin e Janshës nga pushteti, të paktën Milorad Dodik ka një aleat më pak në Ballkan. Rrjedhimisht, atij dhe të tillëve si ai iu dobësohet pozicioni politik, duke iu dhënë hapësirë opcioneve të tjera për zgjidhjen e problemeve. Robert Golob, një emër i panjohur për kosovarët deri sa u përmend në skandalin e mundshëm të pastrimit të parave, pritet të jetë e kundërta e Janshës. Të paktën në opcionin për ndryshimin e kufinjve në Ballkan.