Ish-futbollisti gjerman, Toni Kroos ka folur në “podcast”-in e tij “Einfach mal Luppen” së bashku me vëllain e tij, Felix Kroos sa u përket ndeshjeve të fundit të zhvilluara nga Kombëtarja e Gjermanisë.
Prej tyre, humbja 0:2 nga Sllovakia dhe fitorja 3:1 ndaj Irlandës së Veriut.
Natyrisht, nuk kanë munguar as kritikat, shkruan “Gazeta Express”.
“Kur e shikoj ekipin, e kam ndjenjën se nuk ka qenë kurrë më lehtë që të bëhesh lojtar i Kombëtares. Aktualisht, duket se mjaftojnë 3 apo 4 javë të mira për t’u ftuar direkt. Nuk është një shenjë e mirë. Nëse e shikon ekipin, dyshoj se ti i njeh krejt lojtarët që janë në ekip. A kam të drejt”, i tha vëllai i tij ish-futbollistit të Bayern Munichut dhe Real Madridit, kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014.
35-vjeçari i përgjigjet: “Ke të drejt në këtë pikë. A mund të më gjykojë dikush për këtë?”
Kjo për arsye se Kroos nuk i njeh krejt lojtarët e Gjermanisë së trajnerit Nagelsmann.
Dhe, më pas e thotë me shaka vëllai i tij: “Sot do ta kishe mundësinë (të luajë për Gjermaninë)”, tha ai, me një kritikë të qartë për kualitetin e ekipit.
Për ta rritur më pas dozën: “Për momentin nuk e kemi një grup prej 50 futbollistësh të Kombëtares që janë të nivelit të lartë. Është kështu puna, në nivel ndërkombëtar puna është shumë më ngushtë.”
Të dy u pajtuan se Gjermania nuk bën pjesë tek Kombëtaret që mund të kenë ambicie më të mëdha sepse, sipas tyre, të tjerët janë më të mirë.
“Aktualisht jemi larg të flasim për titullin botëror, nuk jemi as në formën më të mirë. Por, presim që lojtarët e duhur të jenë në formë…”, përfundoi Kroos. /Gazeta Express