Forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Lamit në zonën e Zall Mnerit në Kamëz.
Lami ndodhet ende në kërkim si i dyshuari kryesor i vrasjes së postierit Lulzim Visha.
Kontrollet janë kryer nga forcat elitë të policisë, por ende nuk dihet nëse brenda banesës kanë gjetur prova që lidhin Ervis Lamin me vrasjen e Vishës.
Sipas sistemit TIMS Lami ndodhet në Shqipëri dhe nuk rezulton që të ketë kaluar kufirin.
Megjithatë ka dyshime se ai mund të jetë larguar ilegalisht në Kosovë.
Lulzim Visha, 48-vjeçari i ekzekutuar mëngjesin e 24 janarit në Zall Mner të Kamzës kohët e fundit kishte përplasje të ashpra me familjen Lami për shkak të pronave, konflikte që kanë përfunduar edhe në përplasje fizike.
Kjo tashmë është dhe pista kryesore ku janë përqendruar hetimet.
Visha ishte përplasur me Ervis Lamin, një emër i njohur për drejtësinë për arratisjen nga burgu i Drenovës. Banesa e Lamit dhe familjarëve të tij kanë qenë ndër të parat që janë kontrolluar nga policia edhe gjatë ditës kur ndodhi vrasja. Agjentët gjetën një pistoletë me silenciator. Ervis Lami nuk ka qenë në shtëpi, por dera është hapur nga një familjar i tij.
Ndërkohë policia arrestoi Eduart Lamin, djalin e xhaxhait të Ervis Lamit, i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Pistoleta u dërgua në laborator për të parë nëse është përdorur në krime të tjera apo jo.