Thellohet bilanci tragjik i sulmeve ruse në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit me raketa dhe dronë.
Bombardimet kanë vrarë të paktën 13 persona, nëntë në qytetin e Dnipros dhe katër në Kiev, në një nga sulmet ajrore më të mëdha të Moskës në muaj, ndërsa numërohen edhe dhjetëra të plagosur, përfshirë fëmijë.
Moska shënjestroi popullsinë civile, kryesisht pallate dhe ndërtesa banimi. Ekipet e shpëtimit nxituan në vendin e sulmeve, duke kërkuar për njerëz që besohet se janë bllokuar nën rrënojat në Kiev.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në orët e para të mëngjesit të së martës në pjesën më të madhe të Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme ukrainase, duke thënë në një deklaratë se të gjitha “objektivat e operacionit” ishin arritur.
“Një sulm u krye duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë, ajrore, tokësore dhe detare, duke përfshirë raketa balistike hipersonike dhe dronë, duke synuar operacionet e sektorit të mbrojtjes në Kiev, Zaporizhia, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk, si dhe në rajonet Poltava, Khmelnytskyi dhe Sumy”, tha ministria ruse.
Moska kishte paralajmëruar javën e kaluar se do të niste “sulme sistematike”, duke fajësuar Kievin për një sulm vdekjeprurës në një konvikt studentor në një rajon të pushtuar të Ukrainës lindore.
Pala ukrainase kishte deklaruar se objektivi i operacionit ishte një njësi ushtarake ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të hënën në mbrëmje, në videomesazhin e tij të përditshëm, se një “sulm masiv” ishte i mundur dhe u bëri thirrje qytetarëve t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve për sulme ajrore.
Të martën në mëngjes, Zelensky tha se Rusia kishte lëshuar gjithsej 656 dronë sulmues dhe 73 raketa të llojeve të ndryshme, duke përfshirë raketa balistike, lundruese dhe anti-anije.
“Ne kemi nevojë urgjente për ndihmën e Shteteve të Bashkuara në furnizimin me raketa për sistemet Patriot”, tha presidenti ukrainas, duke iu referuar sistemeve kundërajrore të përdorura për të kapur raketat ruse.
Raketat Patriot janë në furnizim të kufizuar, një situatë që është përkeqësuar nga lufta midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Që kur Donald Trump u rikthye në pushtet vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë furnizimet e drejtpërdrejta për Ukrainën, duke i shtyrë aleatët evropianë të blejnë pajisje amerikane dhe t’i transportojnë ato në Kiev.
Në Kharkiv, kryetari i bashkisë së qytetit, Ihor Terekhov, tha se 10 persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në sulmet me dronë dhe raketa gjatë natës. Një strukturë industriale u godit gjithashtu në Zaporizhia, më në jug.