Kombëtarja e Shqipërisë regjistroi fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të përzgjedhurit e Sylvinhos triumfuan sonte ndaj Moldavisë, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultatin 2:0.
Jasir Asani (52’) dhe Nedim Bajrami (76’) shënuan golat e fitores për Kombëtaren shqiptare.
Shqipëria pas kësaj fitore ka 3 pikë dhe renditet e treta në Grupin E, aq sa ka edhe Polonia si e dyta. Por, duhet theksuar se të dy këto ekipe kanë zhvilluar vetëm dy ndeshje deri më tani.
Në këtë grup prin Republika e Çekisë me 7 pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara.
Moldavia, me tri ndeshje të zhvilluara në grup, është e katërta me 2 pikë.
Ishujt Faroe, me dy ndeshje në grup, janë në pozitën e fundit me 1 pikë.
Kujtojmë se “Kuqezinjtë” pas tre ditësh do të luajnë në udhëtim ndaj Ishujve Faroe.
Shqipëria edhe në këtë ndeshje vlerësohet si favorite dhe me tri pikë të tjera, padyshim se do të rriste gjasat për dy pozitat e para – si dhe për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Gjermani. /Gazeta Express/