Shumë i emocionuar, i nderuar u shpreh rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu në ceremoninë ku presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti u nderuan me çmimi “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”.
Hajrullahu tha “shkëlqesia e saj, presidentja Vjosa Osmani Sadriu, si dhe shkëlqesia e tij, kryeministri Albin Kurti ishin të ftuar më 1 tetor që të marrin pjesë në një aheng”.
Që të dy, siç tha rektori, “rastisën që të mos ndodhen në vend”. Kësisoj, ai shprehu mirënjohje të madhe për Osmanin e Kurtin, që, siç tha, gjetën kohë “brenda javës” që të marrin pjesë në këtë ceremoni.
“Brenda një jave kanë gjetur kohën dhe janë ardhë në Universitetin e Prishtinës, e kjo do të thotë shumë për mua dhe për të gjithë ne, sepse unë e kuptoj këtë si një sinjal se sa është i rëndësishëm ky universitet për liderët, udhëheqësit e shtetit tonë, që brenda javëve, edhe për shkak të punëve të shumta, gjejnë kohën edhe sa herë i thërrasim, shprehin gatishmërinë me qenë pjesë e shtëpisë sonë të përbashkët, Universitetit të Prishtinës”, tha ai.
Rektori Hajrullahu tha se nga UP-ja dolën personalitete të shquara, duke iu referuar edhe Osmanit e Kurtit, të cilët tha se “na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë brenda dhe jashtë vendit gjithandej”.
“Ju, me përpjekjet e tuaja të përditshme për një shtet të së drejtës dhe një Kosovë më të zhvilluar e më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës”, tha ai.