Aktorja dhe regjisorja Kristen Stewart ka folur hapur dhe me tone të forta për trajtimin e grave në Hollywood, duke deklaruar se pavarësisht lëvizjes së madhe “MeToo” dhe premtimeve për ndryshim, realiteti mbetet i zymtë.
35-vjeçarja ishte një nga folëset kryesore në Akademinë dhe Drekën Vjetore të Chanel për Gratë në Los Angeles, ku mbajti një fjalim të fuqishëm e emocional, duke rrëfyer se shumë histori të grave në industrinë e filmit ende censurohen, heshten dhe refuzohen nga ata që kontrollojnë pushtetin.
“Pas lëvizjes ‘MeToo’, menduam se më në fund zëri ynë do të dëgjohej, se historitë e shkruara nga gratë dhe për gratë do të merrnin hapësirën që meritojnë,” tha Stewart. “Por tani mund të dëshmoj se sapo përmbajtja bëhet shumë e errët, shumë reale, shumë tabu, industria të kthen shpinën.”
Sipas saj, tregimet autentike të përvojave që gratë i përjetojnë çdo ditë – nga abuzimi, kontrolli deri te presioni emocional – shpesh provokojnë refuzim dhe madje neveri nga producentët dhe drejtuesit kryesorë të studios.
“Nuk mund të flasim vetëm për pabarazinë në paga. Duhet të flasim për dhunën. Për atë që po ndodh – në mënyrë të heshtur dhe të normalizuar. Unë jam shumë e zemëruar,” theksoi ajo.
Stewart nënvizoi se statistikat për regjisorët që punuan në projekte filmike vitin e kaluar tregojnë një rrëzim të frikshëm në numrin e grave që drejtojnë filma. Sipas saj, kjo përbën regres të hapur pas asaj që dukej si një moment progresi pas vitit 2017.
“Është shkatërruese të shohësh se sa pak filma vitin e kaluar u bënë nga gra. Ne kemi nevojë për shumë më tepër hapësira ku gratë mund të mbështesin njëra-tjetrën. Na duket sikur jemi shumë, por në të vërtetë jemi pak. Shumë pak.”
Ajo shtoi se industria vazhdon të funksionojë si “klubi i mbyllur i burrave”, i cili lejon praninë e grave vetëm në mënyrë sipërfaqësore, pa u dhënë atyre pushtet të vërtetë krijues.
“Nuk jam mirënjohëse ndaj modelit të biznesit që pretendon se na mbështet, ndërsa shterron energjitë tona dhe nënvlerëson perspektivën tonë të sinqertë. Duhet të shmangim tokenizimin – idenë që një ose dy gra mjaftojnë për të thënë se industria është barazuar.”
Mesazhi i Stewart ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë aktore, skenariste dhe regjisore kanë ri-shpërndarë fjalimin e saj, duke e quajtur atë “zërin që duhej thënë me zë të lartë”.
Ky reagim vjen në një moment kur debati për barazinë gjinore në Hollywood po rikthehet fuqishëm, mes shifrave shqetësuese dhe rrëfimeve të reja të përjetimeve të dhunës, ngacmimeve dhe margjinalizimit të grave në industrinë e filmit. /GazetaExpress/