Reformë e re për ujin në Shqipëri, Edi Rama paralajmëron burg për vjedhësit - Gazeta Express
string(74) "reforme-e-re-per-ujin-ne-shqiperi-edi-rama-paralajmeron-burg-per-vjedhesit"

Shqiperi

Gazeta Express

03/09/2025 15:17

Reformë e re për ujin në Shqipëri, Edi Rama paralajmëron burg për vjedhësit

Shqiperi

Gazeta Express

03/09/2025 15:17

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar masa drastike kundër vjedhjes së ujit, duke përfshirë edhe heqjen e lirisë për abuzuesit, në linjë me veprimet e ndërmarra më parë ndaj atyre që vidhnin energjinë elektrike. Këto deklarata të forta u bënë gjatë prezantimit të fazës së dytë të reformës për sektorin e ujit dhe krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit.

 “Ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vidhnin energjinë elektrike”, deklaroi Kryeministri Rama.

 “Një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je klient i regjistruar. Tjetër është të fusësh tubin në kanalin kryesor dhe të vaditësh bahçen me ujë të pijshëm, apo të furnizosh lavazhin”, shtoi ai.

Në vijim të reformave në menaxhimin e shërbimeve publike, Rama njoftoi ngritjen e një Task Force Kombëtare për Ujin, modeluar sipas Task Forcës së energjisë, që synon goditjen e abuzuesve dhe lidhjeve të paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë.

“Do krijojmë Task Forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do të punojmë shumë fort për të respektuar qytetarët që paguajnë rregullisht dhe meritojnë shërbim më të mirë”, tha ai.

Rama shpjegoi se reforma në sektorin e ujit ka kaluar tashmë në fazën e dytë, me fokus tek konsolidimi i operatorëve në një strukturë kombëtare, ashtu siç ndodhi me OSHEE.

“Nga 58 ndërmarrje të ujësjellësve në vend, i kemi reduktuar në 15 shoqëri rajonale. Tani, po krijojmë një operator kombëtar që do të menaxhojë nga prodhimi deri te shpërndarja e ujit”, theksoi Kryeministri.

Ai kritikoi decentralizimin si një dështim në këtë sektor:“Fragmentimi në emër të decentralizimit ishte katastrofë. Njerëzit nuk pinë decentralizëm në rubinet, pinë ujë”.

Rama solli si shembull negativ qytetin e Vlorës, ku kriza e ujit gjatë sezonit turistik u zgjidh vetëm pas ndërhyrjes direkte nga qeveria qendrore.

“Situata në Vlorë ishte alarmante. Me një ekip të vogël nga Tirana dhe përkushtimin e ministrisë, u arrit përmirësim i menjëhershëm. Po si ka mundësi që vetëm me pak njerëz u zgjidh situata? Sepse niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm”, shtoi Rama.

Kryeministri nuk kurseu kritikat edhe ndaj qytetarëve që abuzojnë me pasuritë publike.“Shqipot që ndalojnë në autostradë për të bërë selfie me perëndimin e diellit, pastaj hedhin shishet e birrës në tokë, janë turpi ynë kolektiv. Kjo nuk e bën një turist, kjo e bën shqiptari vetë. Kjo nuk mund të tolerohet më”, u shpreh ai.

Rama shprehu vendosmërinë për të larguar ndikimin politik nga punësimet në sektorin e ujit.

“Nuk do të ketë më drejtorë të vendosur nga partia. Ashtu si OSHEE u shndërrua nga një bandë në një korporatë moderne, ashtu do të transformohet edhe Operatorin Kombëtar i Ujit”, tha ai.

“Në ndërmarrjet ekzistuese ka më shumë parazitë se teknikë të kualifikuar. Ka njerëz të futur nga krushqia, politika, tarafet. Kjo nuk do të ndodhë më”, shtoi Rama.

 “Burimet ujore nuk janë pronë e atij që i ka afër. Ato janë pasuri e Republikës së Shqipërisë. Nuk e kemi tharë Shushicën. Kemi bërë 9 muaj monitorim dhe projekti ka qenë plotësisht i bazuar shkencërisht”, theksoi ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama njoftoi edhe krijimin e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, që do të bashkëpunojë me bashkitë në grumbullimin e tyre.

“Nuk do të tolerohen më situata qesharake apo katastrofike për shkak të paaftësisë në menaxhim. Do të ndërhyjmë fort edhe në këtë sektor”, u shpreh ai.

Në mbyllje të fjalës së tij theksoi se reforma që synon standardet e BE-së deri në 2030.

“Furnizimi me ujë, si energjia, nuk është luks, është detyrim shtetëror. Dhe ne synojmë që deri në vitin 2030, Shqipëria të ketë standarde krahasuese me vendet e Bashkimit Europian. Nuk është ëndërr – është plotësisht e mundshme”, përfundoi Kryeministri Rama.