Në një event me temën “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, drejtuesit e institucioneve kryesore të vendit kërkuan nisjen e një reforme të thellë dhe reale zgjedhore.
Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, theksoi se, pavarësisht progresit, ka pasur shumë probleme gjatë zgjedhjeve të fundit, siç janë sulmet personale mes liderëve politikë dhe përdorimi i administratës për fushatë. Ai shtoi se: “Krahas progresit kemi pasur shumë probleme. Dy liderët kryesorë bënë fushatë të ashpër me sulme personale. Ulën besimin tek politika. Duhet të lexojmë raportin e ODIHR. Vëzhguesit gjetën se administrata dhe qeveria u përdor për fushatë dhe avantazh të PS. Duhet të nisë menjëherë puna për reformë reale zgjedhore nga Kuvendi i ri. Mazhoranca e cilësuar e PS të mos jetë pengesë për gjithëpërfshirje në këtë reformë.”
Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi për 192 raste të dyshuara për krime zgjedhore, ndërsa 43 procedime penale janë në hetim aktiv. Ai tha: “192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën e hetimit, për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit, 40 materiale janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera ekzistuese dhe një pjesë është në proces verifikimi.”