"Reflektimi" i Sokol Ballës dhe sfida morale si strategji e një pushteti që synon gjithçka - Gazeta Express
string(88) "reflektimi-i-sokol-balles-dhe-sfida-morale-si-strategji-e-nje-pushteti-qe-synon-gjithcka"

“Reflektimi” i Sokol Ballës dhe sfida morale si strategji e një pushteti që synon gjithçka

OP/ED

Ermal Mulosmani

31/05/2021 13:34

Një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri po sundon qetësia dhe normaliteti. Shpallja “non grata” e Sali Berishës ishte goditja e fundit, nokauti që mori opozita shqiptare, edhe ashtu e dërrmuar nga zhgënjimi tetëvjeçar dhe dështimi spektakolar i kauzave më të rëndësishme të saj si braktisja e mandateve dhe e zgjedhjeve lokale.  

Zëra të rëndësishëm të opinionit publik po bëjnë thirrje për një reflektim edhe mediatik pas këtij suksesi të shumëfishtë zgjedhor të Edi Ramës. Sokol Balla, një nga më të njohurit në vend, kishte publikuar një monolog ku apelonte kolegët opozitarë “për t’i thirrur mendjes” dhe të pasqyronin vullnetin popullor.

Lexo Edhe:

Ja si thoshte Sokoli në monologun e tij sugjestionues:

“Sa herë mbyllet një cikël politik, po ashtu mbyllet edhe një cikël mediatik. Mediat reflektojnë, pas një rezultati politik zgjedhor, pasi ai rezultat tregon sesi mediat pasqyruan një realitet në katër vjet, dhe sesa ky pasqyrim ishte i përpiktë, me atë që doli nga kutitë e votimit. Mediat, sidomos televizionet, e kanë për detyrë ta bëjnë këtë, pasi valët e transmetimit janë pronë publike. Televizionet vetëm i marrin ato me qira, në bazë të licencës që ata marrin nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, i mbiquajtur AMA.”

Pra, nëse vota e qytetarëve nuk rezultoi e përpiktë me pasqyrimin katërvjeçar të mediave, këto të fundit duhet të reflektojnë sipas parimit ballist: “Çfarë don populli shkruan media”! Dhe kjo nuk është punë dëshirash është një detyrim ndaj publikut – thotë gazetari. Balla vetëm sa nuk thotë që të ndryshojmë edhe titullin e gazetave, t’i bëjmë të gjitha “Zëri i Popullit”.

Megjithëse pak më poshtë thotë krejt të kundërtën e kësaj: “e vërteta është një fenomen cilësor dhe jo sasior” asgjë nuk e përmban Ballën të etiketojë kolegët e tij si të blerë ose nihilist (me përjashtim të Lubonjës apo Fugës):

Por të gjithë të tjerët sot, që përdorën lirinë e shprehjes për qëllime politike ndoshta jo të vetin po të tjetër kujt, sot u duhen së paku të reflektojnë dhe të heshtin. Por a po ndodh kjo? Jo. përkundrazi. Vazhdojnë në rrugën pakrye të mohimit të realitetit. Dhe nuk mund të kërkosh të ndryshosh një realitet, që ti refuzon ta pranosh. Përndryshe përfundon të besosh vetë, gjërat që i thua për të bindur të tjerët.

Çfarë t’i thuash Ballës pas kësaj?!

Ne duhet të heshtim. Ose të pasqyrojmë zërin e popullit. Përndryshe do përfundojmë duke besuar gjërat që vetë i themi për të tjerët!

Balla jep edhe shembullin personal të reflektimit. Ja sesi:

Dhe unë sot po jap një shembull sesi mund të reflektosh, edhe kur bindjet e tua provohen të sakta dhe të drejta. Duke filluar nga shtatori i vitit 2017 e deri më sot, programi im ka qenë katër herë në javë. Unë, në marrëveshje dhe komunikim me drejtuesit e televizionit, kam vendosur të bëj emisionin tim “Real Story” një herë në javë, çdo të enjte në ora 21, këtu në News24.”

Ky është reflektimi i Ballës :)!

Ndërkohë edhe pushteti reflektoi sipas mënyrës së tij. Sokol Balla është kandidati kryesor për detyrën e Drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. Sepse kur reflekton edhe shpërblehet.

***

Shkrimi i lartpërmendur ka kohë që është publikuar. Nuk do e kisha marrë në konsideratë nëse i njëjti fenomen nuk do më ndodhte gjithnjë e më shpesh këto kohë. Njerëz të repektuar, me reputacion publik në shoqëri, më shohin me keqardhje dhe “me besim se do e tejkaloj këtë krizë identiteti”. Pak a shumë më thonë këto fjalë:

“Po i bini në qafë shumë Edi Ramës ju të opozitës. Ai po përpiqet, ka bërë gjëra të bukura, bota e don shumë, duhet thënë edhe ndonjë fjalë e mirë. Më kanë treguar mua, Merkeli dhe Macroni çmenden për të. Tani që erdhi dhe Bideni mori fund. E pe Berishën? Tani është radha e Metës, do futen në burg. Unë që po i them këto fjalë jam demokrat i orëve të para, ti më njeh shumë mirë. Por kam reflektuar.”

Po synohet një stepje morale e kundërshtarit. Nëse ti nuk je me Edi Ramën, Rilindjen, Reformatoren, të Bukurën, të përzgjedhurin e Ëngjëllit, ka diçka që nuk shkon këtu. Sidomos nëse nuk reflekton as pas këtyre zgjedhjeve! As pas shpalljes non grata të Berishës?!

Ahh, ti qenke i pandreqshëm, ti qenke militant i Djallit, qenka e kotë me ty”.

Edhe kur nuk e thonë e shprehin me shikime mëshiruese, nënkuptuese.

Jemi në fazën e squlljes së nervit opozitar, faza e parë drejt shumë –izmave. Kjo lloj degdisjeje morale ndaj Opozitës, ky glorifikim i Liderit të përkushtuar i gjen krahasimet vetëm në sisteme moniste ose tërësisht autoritare. Identifikimi i zërave opozitarë si problemi më i madh i vendit dhe viktimizimi i autoritetit shtetëror është një fenomen unikal shqiptar.

E keni parë zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçe, se si ankohet për çdo ditë për çmimet e kripura dhe shkeljen e ligjit  që bëjnë lokalet? Nuk ka ilustrim më të mirë për nivelin e qeverisjes! Zëvendëskryeministri këshillon pronarët shkelës të ligjit “Mos e teproni se nuk e keni mirë kështu”. Po për  çfarë është aty zoti zëvendëskryeministër?! Për të bërë moral apo për të mbrojtur interesat e cënuara të të qeverisurve të tij?!

Në fakt nuk është rastësi. Qeveria bën edhe Opozitën pasi ka ndërtuar kitschin e  “epërsisë morale”. Braçe duartrokitet për thirrjen, postimi i tij merr shumë like dhe shpërndarje. Mundet ta bëjë “like” edhe pronari i restorantit. Fundja pse jo.  

Fokusi i të gjitha problemeve të shoqërisë është opozita ndaj duhet zënë hapësira opozitare nga Qeveria ose levat e saj. Ata janë “bijtë e ëngjëllit”, ata vetëkritikohen publikisht dhe vetëpërmirësohen.  Gradualisht nuk do ketë nevojë fare për të.