Reciprocitetit ndaj Serbisë i shtohen masa të tjera - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

31/05/2020 8:09

Reciprocitetit ndaj Serbisë i shtohen masa të tjera

Lajme

Gazeta Express

31/05/2020 8:09

Qeveria në detyrë ka njoftuar se gjatë mbledhjes së fundit ka marrë vendim që reciprocitetit ndaj Serbisë t’i shtohen masa të reja reciprociteti.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se është marrë vendim që të ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë, që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera që janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ky vendim parasheh që kompanitë nga Serbia të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn nga Serbia në Kosovë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në komunikatën e ZKM’së drejtuar mediave./Gazeta Express