(Rreth romanit “Zemra e errësirës” të Joseph Conrad, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2023)
Shkruan: Agnesë Shkodra
Joseph Conrad është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë moderne. Ai ka shkruar disa vepra të njohura, si “Rinia”, “Lordi Xhim” dhe “Nostromo”, ku trajton temat e kolonializmit, imperializmit dhe natyrës njerëzore. Megjithatë, ai famën e mori me romanin ‘’Zemra e errësirës’’, i cili është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese Bard Books, me përkthim nga Eronita Kqiku. Ky roman ka shërbyer edhe si frymëzim për regjisorin Coppola në realizimin e filmit të famshëm Apocalypse now.
Para se të bëhej shkrimtar, Conrad punoi si marinar. Pasi u largua nga vendi i tij i lindjes për të shmangur rekrutimin nga ushtria ruse, ai u bashkua me marinën franceze dhe më vonë punoi në anijet britanike. Gjatë kësaj periudhe, ai kaloi shumë kohë në det, duke fituar një perspektivë të veçantë mbi kultura të ndryshme. Kjo përvojë ka pasur një ndikim të thellë në veprat e tij, sidomos në kryeveprën ”Zemra e errësirës”. Ky roman, i botuar për herë të parë më 1899, eksploron kolonializmin dhe natyrën e errët të njerëzimit përmes një udhëtimi në lumin e Afrikës. Historia përqendrohet te Marlow, i cili, derisa rrëfen për jetën e tij dhe për kohën si kapiten në bordin e një anije, përpiqet të gjejë Kurtzin, një agjent dhe tregtar fildishi që ka krijuar një reputacion legjendar te vendasit. Mirëpo, gjatë këtij udhëtimi, ajo çfarë Marlow zbulon është natyra e errët e kolonializmit dhe pasojat shkatërruese që ai sjell.
“Zemra e errësirës” paraqet një përplasje të thellë midis civilizimit dhe barbarizmit. Sepse ata që pretendojnë të sjellin civilizimin në Afrikë, në fakt, përfaqësojnë vetëm të keqen, dhunën dhe errësirën. Kjo e vërtetë bëhet e qartë përmes personazhit Marlow, i cili tregon se kolonializmi shpesh shërben vetëm si një justifikim për shfrytëzim. Si rezultat, popujt dhe kulturat e pushtuara përjetojnë humbje të identitetit. Prandaj, titulli, duke shënjuar pasojat që sjell kolonializmi, simbolizon edhe errësirën që mbërthen popullin e Kongos.
Përdorimi simbolik i errësirës paraqet Afrikën si vend të panjohur, ku ata po futeshin thellë e më thellë, por, njëkohësisht, edhe errësirën e shpirtit njerëzor. Këtë të fundit e përfaqëson Kurtz, një njeri që, përmes pushtetit të tij mbi popullsinë vendase, humb çdo gjurmë të moralit dhe humanizmit. Pavarësisht reputacionit të tij si lider, ai zhvillohet dhe zbulohet si një figurë e korruptuar. Madje, ai personifikohet edhe si një figurë mitike në letërsinë moderne, një figurë që simbolizon pasojat e humbjes së lidhjes me njerëzoren dhe moralitetin në emër të pushtetit dhe ambicieve personale. Me transformimin e idealeve të tij në brutalitet, shfrytëzim dhe korruptim, Conrad e shndërron Kurtzin në shembullin më të mirë të asaj se si pushteti dhe izolimi çojnë njeriun drejt çmendurisë. Pra, Kurtz është zemra e errësirës.[1]
[1] Joseph Conrad, Zemra e errësirës, Bard Books, Prishtinë, 2023, fq.18.