Recensioni i javës / Tenxherja totalitare e Agron Tufës - Gazeta Express
string(53) "recensioni-i-javes-tenxherja-totalitare-e-agron-tufes"

Recensioni i javës / Tenxherja totalitare e Agron Tufës

Arte

Gazeta Express

05/08/2022 16:52

Rreth romanit ‘Tenxherja’ të Agron Tufës, Toena, 2010

Nga Driton Fejzullahu

Lexo Edhe:

 Në  romanin “Tenxherja”, fillimi i ngjarjes, është pritja e daljes nga burgu të personazhit ( Filipit), dhe ngjarja përfundon në burgosjen e të njëjtit nga ana e Sigurimit të Shtetit. (Behari) është në fillim e në fund të romanit në pritje, një herë të daljes së babait, pastaj të vëllait.

 Ana simbolike e këtij romani fillon me titullin e tij, Tenxherja, është simbol i cili bëhet “relikt” i ruajtur nga burgu personazhi (Fisnik-u), dhe përfundon në burgosje (Filipit). Kjo tenxhere është mjet dhe topos semantik e ideologjik që tregon për kampet e punës, ky mjet i ishte lënë amanet-kujtese historike (Fisnik-ut) nga një i burgosur i burgut të Spaçit. Revolta e Spaçit filloi më 21 maj 1973.[1]

Funskioni– tenxherja shërben si enë për t’u ushqyer nga njerëzit në shumicën e rasteve, kurse funksionin semantik e letrar, si në rastin e romanit, kemi të bëjmë me funksionin që është përdorur nga të burgosurit e kampeve të punës, dhe si kujtese individuale mbi historinë e kampeve famëkeqe siç ishte Spaçi.

Në romanin e Tufës, në rastin konkret tenxherja bëhet mjet reagimi, duke u konsideruar si një vepër anti-ideologjike, si mejet i rrezikshëm për diktaturën, e mjet shpëtimi për (Filipin) ku tenxherja si narracion u shndërrua në mjet të reagimit letrar e cila denoncoi  krimet monstruoze të ideologjisë komuniste të udhëhequra nga Enver Hoxha.

Kur flasim për romanin Tenxherja, mund të themi se natyra e temës së trajtuar, ia ka “determinuar” autorit, diskursin që në roman në shumicën e rasteve mund të definohet si diskurs opozicionar, dhe konteksti është në tërësi socio-politik, i përcaktuar nga ideologjia komuniste.

Motivimi– tenxherja është mjet motivimi për autorin (Agron Tufa) dhe shndërrohet në referencë në roman, për narratorin karakter, (Beharin). Edhe pse i dhënë nga një pozicion që duket më shumë si fiksion se sa fakt,  romani është ndërthurje e faktit me fiksionin.

Fiksioni është letrar, i modeluar, ku autori (Agron Tufa) përjeton diktaturën, përjetim real, kurse fiksional është përmes (Fisnikut) të atit, që me të vërtetë ishte i burgosur në burgun e Spaç-it.”Fillimi i revoltës së Spaçit, sipas tim eti, nisi pikërisht me shpërthimin e qelive nga një i burgosur guximtar, Hulsi Pashollari”.[2]

Pra ky roman nuk i përket përjetimit real të autorit në kampet e punës si për shembull romani “Arkipelagu Gulag”, ku rrëfimi është  dhënë nga një autor real, i cili rrëfen përjetimet e tij dhe të tjerëve, kurse rrëfimi te romani “Tenxherja” paraqet përjetimin vetëm të ngjarjes që trajton romani jo edhe të temës konkretisht atë të burgut në kampet e punës.

Autori i romanit, Agron Tufa, indentifikohet përmes karakterit, që në roman është i dhënë me emrin Behar, që sipas Gennette i takon tipologjisë së manifestimit të pseodonimitetit-kur autori përdor emra të rremë si maskim”[3]. Behari paraqitet si model i fatkeqësisë individuale poashtu edhe kolektive, i cili reagon karshi sistemit politik dhe ideologjik, të cilin nuk mund ta përmbysë, prej të cilit duhet të mbrohet, në mënyra dhe rrethana të ndryshme. Ai duhet të mbrohet edhe nga diferencimet politike, që iu janë bërë familjes së tij.

 Në roman, karakteret janë të ndryshme; Karakterit (Behari-it) i është veshur një intelekt i cili nuk përkon me moshën e tij, por kjo veshje ishte intencë e autorit, e cila del si triumfuese kundër sistemit totalitar. Strukturimi  i karaktereve ishte konsekuencë e zgjidhjes së temës. Karakteret në këtë roman mund t’i ndajmë në dy linja;

  1. Në linjën pozitive- bëjnë pjesë karakteret që janë anti-ideologjike
  2. Në linjën negative-bëjnë pjesë karakteret që janë pro-ideologjike

Konteksti romanit– në këtë roman e hasim kontekstin socio-politik, ku kemi karakterizim të dyfishtë, njëkohësisht psikologjik i relacioneve subjekt-objekt.  Motivimi i situatës ndodh nga motivi i burgosjes. Në këtë roman, tema por edhe problemi kryesor është ideologjik dhe si i tillë del të jetë në qendër të rrëfimit. Ky roman duhet parë në një momentum  tragjik të manifestimit dhe pësimit ideologjik. Autori në romanin “Tenxherja” paraqet gjendjen Socio-politike si gjendje fatkeqe për individin-kolektivitetin.

 Situtata socio-politike- në këtë rast burgosja e (Filipit), ( Fisnikut) paraqesin një lloj stimulimi material të natyrës funksionale dhe kështu duke krijuar material autorit për të ndërtuar konfliktin. Në këtë rast e kemi konfliktin të ndërtuar në raport të individit me regjimin komunist, Partisë dhe armikut të Partisë. Në romanin Tenxherja konflikti shkon në këtë linjë dikotomike. E kemi konfliktin e zhvilluar të familjes (Blana) me “damkë” në sistemin totalitar, e cila e burgosë edhe Babanë edhe të Birin.

Përfundimi i ngjarjes- në këtë roman autori  rrëfen për  gjykimin e (Filipi-t) të vëllait dhe pritjen e daljes nga “Kampi i Punës” i Spaçit. Romani “Tenxherja” i Agron Tufës, del të jetë një roman që rrëfen fatalitetin njerëzor gjatë rënies dhe sundimit totalitar, pësimit individual e shoqëror, subjektiv autorit (Agron Tufës) si karakter në roman (Behari) dhe objektiv, tërë shoqërisë shqiptare.


[1] Kjo ishte ndër revoltat më të guximshme kundër dikaturës enveriste. Revoltën e filloi një i burgosur me emrin Hulësi Pashollari. Revolta kishte zgjatur dy ditë, deri në ndërhyrjen e forcave speciale me anë të helikopterëve, në këtë ndërhyrje kishte marrur pjesë edhe Feçor Shehu, ku u arrestuan gjithsej 115 të burgosur dhe katër prej tyre u pushkatuan. Ata ishin: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja, si dhe iu varr një qen që ishte rritur brenda burgut, për më shumë shihni dokumentarin mbi Burgun e Spaçit.

[2] Tufa, Agron, Tenxherja, Koha. Prishtinë, fq.126.

[3] Apolloni, Ag, Paradigma e proteut:studim, Prishtinë, fq.298.