(Rreth romanit “Tre romane shembullorë dhe një prolog” të Miguel de Unamunos, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2023)
Shkruan: Agnesë Shkodra
Miguel de Unamuno njihet si shkrimtar, filozof dhe intelektual spanjoll i cili me krijimtarinë e tij dha një kontribut të madh në letërsinë dhe filozofinë e shekullit XX. Përveç që kultivoi gati të gjitha zhanret, Unamuno krijoi edhe nivolën, një zhanër kontrast me novelën, që shkruhej nga bashkëkohësit e tij. Ky autor ka krijuar një numër veprash të rëndësishme me të cilat ndikoi jo vetëm në kulturën spanjolle por edhe në atë europiane. Veprat e tij më të njohura janë romanet ‘’Mjegull’’, ‘’Abel Sançez’’, ‘’Shën Manuel Bueno martir’’ dhe ‘’Tre romane shembullorë dhe një prolog’’, që në gjuhën shqipe na vjen nga shtëpia botuese Bard Books, përkthyer nga Antonio Çikollari.
‘’Tre romane shembullorë dhe një prolog’’ është një ndër veprat më të rëndësishme të Miguel de Unamunos, e publikuar për herë të parë në vitin 1920. Ky libër përmban tre tregime (Dy mamatë, Markezi i Umbrias, As më pak e as më shumë se një burrë) dhe një prolog. Prologu shërben si një hyrje reflektive ku autori diskuton qëllimin e këtyre tre novelave të shkurtra dhe filozofisë që trajton brenda tyre.
Në këto tri histori Unamuno fokusohet në marrëdhëniet njerëzore dhe gjendjet emocionale të personazheve, pa i kushtuar ndonjë rëndësi përshkrimit fizik. Të tre novelat na paraqesin tre personalitete të ndryshme, tre personazhe që duke shkatërruar jo vetëm lidhjet familjare por edhe çdo konventë shoqërore, shërbejnë si simbole për ide më të thella si vdekja dhe ekzistencializmi. Në novelën e parë autori përmbyt mitin e Don Zhuanit duke vendosur në vend të heroit një grua të palëkundur, e cila nuk heq dorë nga dëshira e saj për të qenë nënë, edhe pse kjo dëshirë çon në shkatërrimin e familjes e të lumturisë së saj dhe të tjerëve. Me një shkatërrim të tillë përballemi edhe në novelën e dytë, heroina e së cilës nuk ndalet para asgjëje në mënyrë që t’i japë familjes një trashëgimtar. Novela e tretë dallon nga dy të parat sepse aty autori ndërthurë temën e vdekjes me atë të dashurisë. Por e përbashkëta e tre novelave qëndron në rëndësinë e përvojave njerëzore dhe ndjenjave të tyre, të cilat mund ta shtyejnë njeriun të ndryshojë përceptimin per jetën dhe vdekjen.
Tema e vdekjes është shumë e pranishme. Ajo nuk shfaqet vetëm si një fund, por zhvillohet brenda ngjarjes si ide kyçe për të zgjuar të menduarit dhe për të arritur të reflektuarit mbi jetën dhe kuptimin e saj. Unamuno përdorë dialogun dhe monologun si dy mjete përmes të cilave shpreh dilemat ekzistenciale të personazheve, duke ngacmuar lexuesin të mendojë më thellë për çështjen e jetës dhe vdekjes, identitetit dhe qëllimeve që njeriu mund t’i ketë gjatë jetës. Pra, dialogët e Unamunos që janë kryesisht filozofike dhe nxjerrin në pah mendimet dhe ndjenjat e personazheve në lidhje me ekzistencën, shpalosin tri histori të errëta me përfundime tragjike, ku lexuesi e gjen veten duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme një zgjidhje për pavdekësinë.