Recensioni i javës / “Intervistë me vetveten” – një libër autobiografik përgjatë një shekulli - Gazeta Express
string(87) "recensioni-i-javes-interviste-me-vetveten-nje-liber-autobiografik-pergjate-nje-shekulli"

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:17

Recensioni i javës / “Intervistë me vetveten” – një libër autobiografik përgjatë një shekulli

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:17

Petro Markon do ta quaja martir të gjallë të lirisë, letërsisë, publicistikës e lirisë së fjalës dhe shprehjes së lirë

Kadri Mehmeti

Lexo Edhe:

Kur flasim për Petro Markon nuk flasim vetëm për një vepër të një zhanri të caktuar, por flasim për një njeri, i cili, pavarësisht pushteteve të ndryshme që vijnë dhe shkojnë, mbetet një kult i pashkruar që  frymëzon, jo vetëm brezat e popullit të vetë, por edhe  “njerëz të popujve të ndryshëm” që ishin bashkëpërjetues të atyre ngjarjeve mizore që e kapluan tërë Evropën dhe u bënë simbol i një lufte të pakompromis, kundër atyre që u munduan të mbjellin terror dhe dhunë ndaj paqes dhe vetë njeriut.

Jeta dhe vepra e Petro Markos nuk është veç jeta e një e shkrimtari, por jeta e një njeriu në thonjëza, që dha më shumë për njerëzit sesa vetë për letërsinë. Prandaj kur kujtojmë njerëzit humanë, ndjellim ndjenjën e mirënjohjes së sinqertë, për gjithë ata  që ia kushtuan jetën njeriut.

Vepra e Markos me para do të quhet vepër humane, sesa vepër letrare, jo pse ajo nuk ka karakter të tillë, porse në vetë përmbajtjen, ajo shquan ndjenjën humane, ndjenjën për t’u sakrifikuar, për lirinë e të tjerëve. Në të gjitha veprat e tij, shquhet tema e luftës dhe e qenies së njeriut të arratisur nga liria e vetë. Ai na flet për njeriun e robëruar nga regjimi totalitar fashist.

Kur kujtojmë këtë vepër, kujtojmë edhe shumë figura të tjera historike, të cilat jetësohen dhe marrin kuptim, tash me emër e mbiemër, duke u deklaruar, tash si nevojë për të thënë të vërtetën.

Vepra “Intervistë me vetveten” është një dialog që autori bën me veten e tij, është një libër memoreje e kurorëzuar në një monolog, ku autori na  kujton ngjarje pas ngjarjesh- një periudhë të caktuar historike. Ai mundohet të vë pikëpyetjet në ato pjesë të atyre ngjarjeve që ndoshta duhet të vepronte ndryshe.

Me këtë vepër mund të ndjekim një periudhe kohore rreth pesëdhjetë vitesh, pa marrë me mend edhe kohën e fëmijërisë së kryeprotagonistit  deri në një moshë të pjekur.

Kjo vepër, e cila u botua në vitin 2000, nëntë vite mbas vdekjes  se autorit, shënon një kthesë dhe një rikapitullim të historisë jetësore  të veprave të tij letrare. Kjo është vepra e fundit ,e cila e mbyll kapitullin e një shekulli. Në të njëjtën kohë na informon  ,për krijimtarinë letrare të autorit, për veprat e botuara, përgjatë viteve, për veprat e ndryshuara dhe të censuruara, nga pushteti, për veprat e humbura gjatë luftës, dhe për veprat që u botuan ashtu siç  i kishte shkruar autori. Vepra është kapitull autobiografik i një historie jetësore, për shkakun se përfshinë një jetë të tërë me të gjitha peripecitë dhe ngjarjet e rëndësishme që i përjetoi autori. Pavarësisht se autori shkruan një autobiografi, ai në të njëjtën kohë harton edhe një  “kujtesë historike”, meqë vetë që  pjesëmarrës në shumë nga këto ngjarje; këto tekste, të shkruara në formë të ditarit, dalin përgjithësisht nga udhëpërshkrimet e tij, që janë materiale publicistike. Në plan të parë ato mund t’i shërbejnë ndonjë historiani, për të rrumbullakosur kohën se kur kanë ndodhur; për t’i bërë me të plota ato ngjarje historike.

Prandaj, edhe vetë autori në fillim të veprës kur flet për  veprën e tij, ai e ndien të nevojshme që me këto punë duhet të merren historianët, pasi na lë të kuptojmë se çdo ngjarje mund të jetë edhe subjektive, dhe që nuk ka të bëjë me të vërtetën.

Kur lexojmë Markon ne s’kemi çka e lodhim imagjinatën, në të gjejmë të gjitha përjetimet me qartësinë dhe reflektimet me të sinqerta. Mbase dëshira për të thënë diçka për Markon, na bënë më kureshtarë, që ta njohim një të vërtetë të hidhur të një shekulli.

 Libri “Intervistë me vetveten ”është i ndarë në dy pjesë, në pjesën, ”Petro Marko i Ri” dhe në pjesën e dytë ,”Petro Marko i Vjetër”.

Edhe si pjesë të ndara ,janë shkruar në dy kohë të ndryshme. Pjesa  e parë është shkruar shumë vite me parë. Kurse, pjesa e dytë u shkrua, para se autori te vdiste në vitin 1991.

Siç e dimë, pjesën e fundit thuhet se  e shkroi me insistimin e gruas së tij e cila e nxiti që ta përfundonte një pjesë të krijimtarisë se tij. Vetë autori e citon si frymëzim për këtë një mike të tij; e cila që iniciatore që ai ta nisë këtë libër mbas një vizite që i bëri pas 40 vitesh.

Mbase ajo, duke e njohur  historinë jetësore, duke   qenë e vetëdijshme me veprimtarinë e tij, ajo e dinte se herët a vonë, do t’ia siguronte përjetësinë. Dhe në të vërtetë, ndoshta kjo vepër i dha një lloj pavdekësie.

Pjesa e parë flet për familjen, rrënjët familjare, vendlindjen, shkollimin, jeta në mërgim, qëndrimi në Paris dhe në Grenobel pastaj në Luftën e Spanjës- këto janë  pikat kryesore të diskutimit në këtë pjesë të librit. Këtu flitet për kampet e përqendrimit në Ustikë, në kampin Frasketi dhe burgjet e tjera në Itali ,burgjet në Shqipëri gjegjësisht në Dhërmi, në vendlindjen e tij.

Në pjesën e parë përshkruhet Lufta e Spanjës. Petro ishte një nga pjesëmarrësit, me shokët e tij siç ishin, Asim Vokshi, Xhemajl Kada, Ramiz Varvarica e shumë të tjerë. Për këto tri personalitete përshkruhet edhe vdekja e tyre heroike  jo vetëm këtu, por edhe në librin “Hasta la Vista”, të cilën e shkroi mbas burgimit trevjeçar.

Madje, një vepër e kishte varrosur s’bashku me Ramiz Varvaricën, një vëllim me poezi të cilën e nxori shumë vite me vonë.

Pjesa e dytë është e shkruar në vitin 1991 pak para vdekjes se autorit.

Kjo pjesë kap ngjarjet prej mbas Luftës së Dytë Botërore e tutje ,ardhjes në pushtet të Enver Hoxhës. Komunizmi dhe ardhja e tij  përshkruhet me nota të dhimbshme, burgosja  e tij nga pushteti në Burgun e Vjetër të Tiranës .

Në këtë burg autori qëndroi për tri vite me radhë, ku u keqtrajtua fizikisht duke i pasur shumicën e kohës edhe prangat në duar. Një nga bisedat dhe ngjarjet me të llahtarshme, është biseda e autorit me një ekspert të mineralogjisë, i cili që dënuar shkaku që kishte thënë se në Shqipëri  nuk ka pasuri të arit dhe që vrarë në sytë e tij.

Gruaja e tij mund të quhet figurë e  qëndresës dhe e durimit. Përgjatë  kohës sa ai vuante burgun,  ajo i dërgonte ushqimin çdo ditë për tri vite me radhë. Ajo që besnike edhe në ditët, kur autori proklamohej si kriminel.

Kjo vepër letrare, publicistike, na njofton për shumë ngjarje, që mund të quhen dokumentare  për ilustrimin e shumë ngjarjeve historike. Petro Marko, mbase është një nga  martirët e gjallë të lirisë, sepse u persekutua, u vra për se gjalli, në kohën kur po priste se atë do ta shpërblenin në luftërat që kishte bërë; se do ta prisnin, ashtu si ai e kishte merituar.

Kjo vepër mbase është edhe si përsëritje e veprave të tjera ,që ato janë në një rang tjetër, po flasim për llojin e narracionit që janë shkruar. Përmes kësaj vepre ,paraqiten veprat e tjera ashtu si kanë ndodhur. Ato vetëm se objektivizohen dhe bëhen me të sinqerta duke e hequr maskën, kështu  kopertinat që e mbështjellin atë, prej ngjarjeve që janë subjektive e me personazhe të trilluara, ato bëhen të sinqerta dhe reale .Edhe ashtu secila vepër e autorit përshkruan një realitet ,në të cilin ai e ka preokupuar veten e vet, në secilën  periudhë të jetës së tij. Prandaj kjo vepër, kjo intervistë, është një deklaratë historike e cila kërkon të vetëshpallet; të vërë në dritë diçka që askush nuk e ka pyetur autorin, as s’ka dashtë të dijë për vuajtjet dhe për atë që ka dhënë për vendin e vetë.

Jeta e tij ka vlerë me shumë se vepra e tij.

Jeta dhe ngjarjet e saj do të kujtohen për humanizmin, guximin, përkushtimin, urtësinë dhe atdhedashurinë.

Prandaj, unë do ta quaj si martir të gjallë të lirisë, letërsisë, publicistikës e lirisë së fjalës dhe shprehjes së lirë.