Rreth romanit ‘Uria’, të Knut Hamsunit, përkthyer nga Durim Taçi, botues “Jakup Ceraja”, 2023, Prishtinë
“Uria është thelbi i pretendimeve të Hamsunit për mjeshtëri. Ky është romani klasik i poshtërimit, që shkon edhe përtej Dostojevskit” – The Obersver
Knut Hamsuni është shkrimtar norvegjez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1920 dhe një nga shkrimtaret më të mëdhenj e më me ndikim në letërsinë moderne.
E madhërishmja e dhimbshme
Hamsun, do t‘i sjellë lexuesit një rrëfim tejet real, të prekshëm madje nganjëherë edhe të pa imagjinueshëm, duke treguar për historinë e një shkrimtari të ri (i cili jeton në Oslon e fillimshekullit XX) që çdo ditë zgjohet me shpresën që ta kapë frymëzimin dh ta shuajë urinë. Personazhi i Hamsun-it në asnjë rresht të romanit nuk do të arrijë paqe, edhe nëse shkarazi ndodh që artikulli i tij të shitet për 10 kruna (para këto që i sigurojnë bukën për pak ditë), ky shpërblim do të jetë i rrallë, i mundimshëm e gati edhe i paarritshëm.
Një i ri që gjithë mundin e tij ia kushton shpirtit të letërsisë, kritikave të kohës, jetës që lehtësisht themi në Oslon e asaj kohe ishte e ndarë në shtresa, do të përpëlitet deri në ankth për një lloj triumfi që denjon të arrihet.
Shpërfytyrimi i shkrimtarit të ri nga uria, fjetja nën qiellin e hapur, rrobat të shndërruara në lecka, kalojnë thuajse çdo imagjinatë njerëzore. Një paralele tjetër pastaj ngrihet mes kërkesës së këtij djaloshi për pasionin e letërsisë dhe një shoqërie e cila nuk verën, përkundrazi është fort mizore ne raport me njerëzoren.
Lexuesi gjatë gjithë kohës, do të kërkoj me ngulm nga autori që në roman diçka të ndryshoj, dikush të vërej, lexuesi dëshiron që personazhi të vërehet, ani, edhe nëse nuk ndihmohet së paku të vërehet. Kjo nuk ndodhë, edhe nëse po, janë veç episode të shkurtra këto që shndërrohen në krejt të parëndësishme.
Hamsun qëllimshëm luan me personazhin pa derman, qëllimshëm shoqërinë e vendos në këtë rol interesant. Shoqëria ka fuqinë të shkatërrojë gjithçka, ama shoqëria ka në dorë të rregulloj fatin e një shkrimtari po ashtu. Tek ‘Uria’ shoqëria është indiferente.
Lufta për mbijetesë si indikator i krizave psikologjike
Jeta e ndershme e personazhit të Hamsunit vendoset edhe para gjumit me barkun boshë, edhe para kockave të kafshëve që shkrimtari i gjen në kasaphane për t’i gërryer, edhe para fjetjes në qoshe të parkut në mes të dimrit. Knut Hamsun tek ‘Uria’ nuk do ta vendosë në thumb veç luftën për mbijetese, përtej kësaj rëndësi jetike do të ketë karakteri i pathyeshëm i një djali të ri i cili gjithë jetën ia kushton letërsisë, dhe është rritur që të jetë i ndershëm.
Kolapset psikologjike që shkaktohen, duke dërguar lexuesin në një tjetër dimension të ngjarjes, shpjegon dy gjëra: të qenët shkrimtar në një botë në të cilën e madhërishmja ka një koncept që në substancë nuk posedon dijen e njerëzoren dhe absurden e të qenit më ‘normali’ me gjithë çmendurinë e tij, brenda një shoqërie ‘normale’ të çmendur.
Kur shkrimtari i ri po çirret rrugëve të një qyteti skandinav pa shpresë e në formë revolte, ai nuk po e bën këtë veç nga mundimi i mbijetesës, as nga instinkti njerëzor për vëmendje të domosdoshme, ai po vuan një dramë psikologjike e cila fillon me vetëdijen përmes letërsisë dhe tenton të triumfojë si e tillë.
Personazhi si roman
Hamsun, komplet romanin e mbështet mbi një personazh. Gjithçka që ndodh e nuk ndodh në romanin “Uria” është për shkrimtarin, i gjithë rrëfimi fund e krye lidhet veç me një personazh. Ideja e shpjegimit të ndarjes shoqërore, luftës për mbijetesë, mentalitetit të kohës, artit e letërsisë, duke u mbështetur ne vetëm një personazh është goxha mbresëlënëse. E gjithë ngjarja e zhvilluar në roman që trajton bile edhe anën e krizave psikike në të cilat një individ kalon, nuk është në fakt veç shpjegim për individin, përkundrazi është një rrëfim mbi masën, mbi përpëlitjet e masës për triumf, si një tërësi.
Triumfi është në fund të romanit, madje as në fund jo, veç në paragrafin e fundit, kur personazhi veçse pajtohet me idenë e të arratisurit në det, me disa detarë të tjerë. A është triumf ose jo, pak rëndësi ka, lexuesi e shijon si triumf idenë që personazhi i tyre në fund pranon mbase të heqë dorë nga ‘vesi’ i të qenit shkrimtar dhe pranon të punojë si marinar, kështu që së paku të mos jetë i uritur.
A duhet të jetë lexuesi i lumtur kur shkrimtari heq dorë nga karakteri i tij, nga vetja, nga uni? A duhet të jetë shoqëria e lumtur kur edhe një tjetër shndërrohet në ‘masë’.
Shoqëria e asaj kohe, e shekullit XX, kishte këtë qëllim, këtë qëllim ka edhe sot.
Të tjerët për romanin:
Duke u bredhur
rrugëve të kryeqytetit të Norvegjisë, një shkrimtar i ri pa para kërkon
frymëzim ndërsa përpiqet dëshpërimisht të përballojë jetesën. I shtyrë
deri në gjasa të jashtëzakonshme, duke fjetur nën yje me barkun bosh, sjellja e
shkrimtarit bëhet gjithnjë e më irracionale dhe bota e tij përdridhet në kaos.
Uria ishte romani i parë i Knut Hamsun dhe i dha atij Çmimin Nobel
për Letërsinë në vitin 1920. Një kryevepër shqetësuese dhe me humor të errët të
fiksionit ekzistencial, ‘Uria’ parashikoi dhe ndikoi të disa nga shkrimtarët më
të njohur të shekullit të njëzetë, duke përfshirë Camus, Kafka dhe Fante.
Knut Hamsun lindi në Norvegji në vitin 1859. Uria ishte romani i tij i parë. Ai vazhdoi të shkruajë shumë vepra fiction, duke përfshirë Misteret, Pan dhe Victoria. Ai vdiq në vitin 1952 dhe që atëherë një numër në rritje lexuesish janë tërhequr nga vepra e tij për cilësitë e jashtëzakonshme të depërtimit dhe imagjinatës.
/Gazeta Express