string(47) "recensioni-i-javes-brenda-rrugetimit-te-prendit"

Arte

Gazeta Express

14/02/2025 15:05

Recensioni i javës/ Brenda rrugëtimit të Prendit

Arte

Gazeta Express

14/02/2025 15:05

(Rreth librit poetik “As qeni te porta nuk më njohu”, të Arben Prendit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2024)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Lexo Edhe:

Arben Prendi është shkrimtar, studiues dhe profesor në Universitetin e Shkodrës. Ai ka publikuar një sërë studimesh të rëndësishme për autorët bashkëkohorë shqiptarë, duke përfshirë monografinë për Fatos Kongolin, që shqyrton kontributin e tij në letërsinë shqipe. Gjithashtu, Prendi ka eksploruar gati të gjithë zhanret, duke shkruar poezi dhe ese. Ndër veprat e tij më të njohura janë Të shtunën ndize një qiri (1996), Vashat nguten me u ba gra (1998), Qirinj të ndezur për të gjallët (2001), I ra mjegulla Buenës (2022). Së fundmi, ai rikthehet tek poezia me vëllimin poetik “As qeni te porta nuk më njohu”, botuar nga Bard Books. “As qeni te porta nuk më njohu” është një vëllim që përmbledh krijimtarinë poetike të Arben Prendit, të krijuar përgjatë viteve 1989-2015. Këto poezi, të cilat përkufizohen si lirike, na ofrojnë botën e brendshme të shpirtit njerëzor, brenda së cilës hasim në një përzierje ndjenjash dhe emocionesh si dashuria, trishtimi, mungesa dhe malli.

 Poezia e Prendit karakterizohet nga shprehja e ndjenjave dhe emocioneve të thella, të cilat, shpeshherë lidhen me marrëdhëniet personale dhe përvojat e jetës:

Dhe bota asht një vuejtje e madhe, aspak e re,

Ku njeriu gjithmonë e ndjen veten fajtor…

Vargjet e tij janë një reflektim mbi dhimbjen, humbjen dhe përpjekjet e kota për të gjetur qetësi dhe kuptim në një botë që ndonjëherë na duket e egër dhe e paparashikueshme. Me ton reflektues duket sikur autori mediton mbi përvojat e jetës, mbi dhimbjen e përjetuar dhe kërkimin e identitetit. Ai përdor figurën e Odiseut për të simbolizuar një udhëtim që është më shumë emocional sesa fizik dhe një rikthim në një mjedis të transformuar, ku ai nuk njihet më. Madje, titulli na asocion me një ndjenjë të fortë të braktisjes, ku edhe qeni, simboli i besnikërisë dhe njohjes, nuk e njeh më protagonistin, duke theksuar edhe më shumë ndjenjën e humbjes që ai përjeton:

Trokas në portë.

S’më njeh as qeni besnik te porta kush jam,

e më leh me skërmitje

si njeriut të huaj…

E përveç udhëtimit dhe transformimit të brendshëm, poeti na shpalos edhe një transformim kolektiv i cili na orienton drejt një lirie, që vjen pas rënies së një regjimi të dhunshëm. Poezia e tij përshkruan rutinën e jetës së përditshme në Tiranë pas heqjes së statujës së diktatorit, duke simbolizuar ndërrimin e një epoke.

”As qeni te porta nuk më njohu” shpreh një ndjesi të thellë të melankolisë dhe të nostalgjisë për dashuritë e humbura dhe lidhjet që kanë arritur të lënë një boshllëk të thellë. Këtë ide e portretizon më së miri poezia “Për çadrat dhe dashuritë”, në të cilën na shfaqet skena e një realiteti të zakonshëm, ku njerëzit shpesh e vlerësojnë rëndësinë e atyre që i duan vetëm pasi i humbin. Kjo e vërtetë nënkupton një lloj pendimi, duke sugjeruar se nëse nuk e kuptojmë vlerën e diçkaje para se të jetë vonë, jeta ka një mënyrë për të na mësuar përmes sfidave dhe humbjeve:

Dashuritë i kuptojmë,

vetëm kur i humbim,

pa kuptuar.

Nëpër dhëmbë:

Kështu ishte shkruar!

Krahas gruas së bukur që ik pas një koke tjetër, dhe nuk mund të rikthehet më ashtu siç nuk mund të kthehet një ëndërr e vjetër, poezia e Prendit shpreh një ndjenjë të thellë nderimi dhe nostalgjie edhe për nënën, duke theksuar forcën dhe karakterin e saj. Përdorimi i termave si “nanë e fortë” dhe “nanë kreshnike” ilustron figurën e një nëne që ka kaluar përmes sfidave të shumta dhe ka treguar guxim dhe qëndresë. Prandaj, Prendi e vendos atë në rolin e një simboli të forcës në familje dhe shoqëri. E për të theksuar vlera të tilla, autori përdor referenca të shumta kulturore dhe historike që poezisë së tij i japin një kontekst më të gjerë. Termi “qyqe balade” ka gjithashtu një nuancë të theksuar folklorike, duke nënkuptuar një lidhje të ngushtë me legjendat dhe tregimet popullore. Autori shpreh ndjenjën e përgjegjësisë ndaj motrës, dhe, njëkohësisht, përmes idesë së dashurisë, sakrificës dhe përballjes me vështirësitë, ai e lidh atë me figurën e Doruntinës. Ky gërshetim thekson rëndësinë e lidhjeve familjare dhe forcën e qëndresës përballë sfidave, duke shndërruar poezinë në një reflektim të thellë mbi vlerat njerëzore dhe emocionet e përbashkëta.