(Rreth romanit “Legjenda e vetmisë” të Ridvan Dibrës, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2021)
Shkruan: Agnesë Shkodra
Ridvan Dibra është një nga figurat më të rëndësishme në letërsinë shqiptare dhe ndër përfaqësuesit më të denjë të postmodernizmit shqiptar. Krijimtaria e tij letrare është e pasur me një numër të madh veprash, kryesisht në prozë, të cilat, jo vetëm janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, por janë shpërblyer edhe me çmime kombëtare. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Prostituta e virgjër, Nudo, Legjenda e vetmisë, Në kërkim të fëmijës së humbur, Gjumi mbi borë, Dashuritë e virgjëreshës Madalenë etj.
Gjatë viteve, letërsia shqipe është pasuruar me shumë vepra letrare që si burim kanë mite dhe legjenda të ndryshme. Një shembull i tillë është romani “Legjenda e vetmisë” i shkrimtarit Ridvan Dibra, i cili paratekst ka një legjendë të lashtë shqiptare. E ashtu si legjenda, edhe autori na thotë se nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit me u martue. Duke shfrytëzuar një legjendë të tillë, përfundimi tragjik i së cilës mbetet i njëjtë edhe në roman, autori vendosë të trajtojë tema universale si ajo e vetmisë, humbjes, tradhëtisë dhe hakmarrjes.
Përmes tridhjetë kapitujve, një narrator i gjithëdijshëm na rrëfen historinë e protagonistit Balë. Bala është një djalë i ri autist, që jo vetëm përjashtohet nga shoqëria, por nuk pranohet as nga familja. E gjatë përballjes së tij me ndjenjën e vetmisë, Bala kujton dhe vajton babain e vrarë. Vetmia i jep hapësirën për të krijuar në kokën e tij hakmarrjen e përsosur sepse ai është i bindur se fqinji i kishte vrarë babain, për tu martuar me nënën e tij. Derisa tematika e romanit na dërgon deri te folklori, planifikimi i aktit të vrasjes na dërgon deri te letërsia angleze, e veçanërisht te veprat e Shekspirit. Sepse Bala i Dibrës mund të identifikohet lehtësisht me Hamletin e Shekspirit. Të dy personazhet përkufizohen si heronjë tragjik, që edhe pse përballen me vetminë dhe dhimbjen, vazhdojnë të kërkojnë drejtësinë. Por motivi i Hamletit ka një dimension më të gjerë, ndërsa motivi i Balës është më personal dhe lidhet ngushtë edhe me nderin e familjes. Edhe pse nderi në shoqërinë shqiptare përkufizohet si vlerë që nuk duhet të humbet, Bala e sheh hakmarrjen si detyrë ndaj babait të tij, një detyrë që nuk mund të anashkalohet dhe që e shtyn atë të kalojë përmes një periudhe të errët.
Dështimi i Balës për të arritur qëllimin e tij (hakmarrjen) dhe fitorja e nënës dhe fqinjit (verbimi i Balës dhe martesa), e transformojnë atë nga një personazh që, nga dhimbja kishte kërkuar vazhdimisht hakmarrjen, në një hero tragjik që, nga vetmia kishte arritur të gjente një lloj kënaqësie të brendshme. Por tragjedia e vërtetë e Balës nuk shfaqet kur ai ndihet i huaj e i vetëm në botën që e rrethon, e as kur përjashtohet dhe privohet nga mundësitë për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët. Tragjedia e tij arrin pikën më të lartë vetëm pas verbimit. Sepse ky verbim, ndonëse një humbje e thellë për të, i hap derën pranimit të shumëpritur.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...