Recension / Shpëtim Selmani: Notizbuch der Liebe (Libërthi i dashurisë) - Gazeta Express
string(66) "recension-shpetim-selmani-notizbuch-der-liebe-liberthi-i-dashurise"

Recension / Shpëtim Selmani: Notizbuch der Liebe (Libërthi i dashurisë)

Arte

Gazeta Express

05/04/2022 13:43

Shënime mbi shënimet, ose: Nëntëmbëdhjetë huqje kalimtare

Shkruan: Tino Schlench

Lexo Edhe:

1.

Por karrigia ka rënë përtokë dhe era ikën. Lapsat janë thyer, linjat kanë rënë e WLAN ka dhënë shpirt. Askush këtu në këtë vend nuk mund ta kujtojë fytyrën e postierit, ndërsa karrigia ende qëndron e braktisur në bari dhe shtrin këmbët si një gomar i ngordhur.

2.

E megjithatë: një libër.

3.

Vëllimi Libërthi i dashurisë nga shkrimtari dhe aktori kosovar Shpëtim Selmani u botua në Parasitenpresse në fund të vitit 2021 i përkthyer nga Zuzana Finger.

4.

Parasitenpresse është një shtëpi botuese e pavarur me qendër në Köln, e cila fokusohet kryesisht në poezi dhe prozë të shkurtër. Parasitenpresse (në përkthim: shtypi i parazitëve) ka një emër të bukur që kujtdo dhe secilit mund t’i sjellë diçka në mendje: insekte në kopsht ose në qilar, sëmundje veneriane, praktika subversive, subjekte të devijuara ose një libër i Michel Serres që askush nuk e ka lexuar ndonjëherë. Këtu kemi trokitur në derën e duhur.

5.

Në 33 miniatura në prozë, autori dhe aktori Shpëtim Selmani (1986), i lindur në Prishtinë, tregon jetën e autorit dhe aktorit Shpëtim Selmani (1986). Ekziston dyshimi se Libërthi i dashurisë është një tekst autobiografik.

6.

Libërthi i dashurisë është një tekst autobiografik. (dyshim)

7.

Gjatë leximit, pjesët veç e veç bashkohen për të formuar një tërësi. Të duhet një moment, por ndodh, dhe kështu libri mund të përshkruhet si një roman autofiksional në fragmente. Po deshët. (Unë nuk e dëshiroj këtë).

8.

Titulli i librit sigurisht që është një teprim absolut. Rosamunde Pilcher do të rrotullohej në varr nga turpi (gjithashtu: zilia) dhe kërcëllinte dhëmbët plot zhurmë. Kremsheqer dhe dhimbje stomaku. Google Translate e di se edhe origjinali në gjuhën shqipe e mban këtë titull të tmerrshëm dhe se për këtë nuk kanë faj as botuesi dhe as përkthyesi. Google Translate gjithashtu e di se termi anglisht “cringe” do të thotë “strukje” në gjermanisht.

9.

The Book of Love është një këngë shumë e mirë e grupit shumë të mirë amerikan The Magnetic Fields, e cila është rikënduar shumë dobët nga Peter Gabriel. Megjithatë, pikërisht versioni i Gabrielit luhet me shumë qejf në dasma. Në shumë dasma. Të shkon mendja të shkurorëzohesh menjëherë, madje dhe nëse je beqar.

10

Qysh në fillim të këngës Magnetic Fields thuhet: “Libri i dashurisë është i gjatë dhe i mërzitshëm. Askush nuk e ngre dot këtë dreq gjëje.” Libërthi i dashurisë ka vetëm 72 faqe dhe peshon (nuk e di) gram, është shumë i lehtë dhe jo i mërzitshëm.

11.

E nëse ndonjërin e kaplon mërzia: libri është shumë lehtë i përdorshëm. Mund ta mbani në njërën dorë dhe me tjetrën mund të kapni lehtësisht një cigare ose pije të ftohtë, ose të balanconi një kapëse rrobash në gishtin tregues. Sigurisht, jo gjithçka mund të bëhet në të njëjtën kohë. Por libri nuk është assesi i mërzitshëm.

12.

Shpëtim Selmani mori çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi në vitin 2020 për Libërthin e dashurisë. Në fakt, libri i tij është shumë evropian, edhe për sa i përket vendndodhjeve: zhvillohet në Prishtinë, Tiranë, Beograd, Firence, Berlin dhe Lajpcig.

13.

Lajpcig?

14

Në një nga miniaturat, Selmani tregon për një ftesë në Panairin e Librit në Lajpcig. Si autor nga një nga shtetet pasardhëse të Jugosllavisë, ai duhet të komentojë në një panel diskutimi për Josip Broz Tito, për të cilin nuk i vjen në mend të thotë diçka. Por nëse jeni prenotuar si një shkrimtar ish-jugosllav, atëherë jeni të prenotuar si një shkrimtar ish-jugosllav. Si pjesë e një diskutimi në prag të “Panairit të Librit në Lajpcig” 2022, unë do t’i raportoj panelit dhe audiencës për këtë pasazh. Përballë meje qëndron drejtori i panairit Oliver Zille, të cilit fytyra i shtrembërohet gjatë monologut tim. Në këtë moment nuk dëshiroj asgjë më shumë se skena e përshkruar në libër të jetë autentike, që Zille të këtë qenë aty prezent dhe zemërimi ndaj këtij autori mosmirënjohës dhe të pacipë kosovar ta mbajë akoma.

15

Ai në fakt u përqendrua vetëm në lajmërimin tim për të folur, më thotë Zille më pas. Selmani është krejtësisht i panjohur për të. Unë kërcëllij dhëmbët me zë të lartë.

16

Shpëtim Selmani gjen një ton në librin e tij që i përgjigjet strukturës së ndërprerë të tekstit të tij. Ai krijon imazhe gjuhësore elegante dhe delikate, të cilat vazhdimisht shkërdhehen në gjunjë nga formulime vulgare.

17

Është zbavitëse dhe prekëse se si Selmani flet për dashurinë e tij për gruan dhe fëmijën e tij, për babanë dhe për përditshmërinë e tij si një shkrimtar dhe aktor i mbushur vrer. Gjithsesi, edhe më mbresëlënëse janë ato pasazhe në të cilat ai godet të tërën dhe i drejtohet bukurisë së paturpshme dhe mizorisë rrezatuese të botës. Kërkimi i tij për kuptimin dhe pyetjet që i  shtron vetes luhaten midis shpresës dhe cinizmit. Asnjë përpjekje për të zbutur kontradiktat.

18

“Unë jam si një hije që beson plotësisht se kjo është epoka jonë më e lavdishme. E kujt i duhet e vërteta.”

19

Pa kiç, pa pikëpyetje. Hendeku që lë pas djalli.

/Marrë nga: literaturpalast.at

/Përktheu: Valon Veliqi

/Gazeta Express