Rebelimi poetik i Konstantin Pavlovit - Gazeta Express
string(37) "rebelimi-poetik-i-konstantin-pavlovit"

Arte

Gazeta Express

27/09/2022 13:28

Rebelimi poetik i Konstantin Pavlovit

Arte

Gazeta Express

27/09/2022 13:28

Me rastin e katërmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së poetit bullgar, Konstantin Pavlov

Nga Bujar Tafa

Lexo Edhe:

Me 28 shtator bëhen katërmbëdhjetë vite që kur vdiq poeti i shquar bullgar Konstantin Pavlov. Të rrallë janë poetët që nuk kursehen në motive e tema sikur ai. Pavlovi imagjinatën e tij e liron, thuajse plotësisht, nga vargonjtë e konvencave të ndryshme, çfarëdo qofshin ato, e sidomos nga konvencat shoqërore, e specifikisht nga ato ideologjike. Kur e kemi parasysh që konvencat ideologjike i ndërtojnë pushtetet totalitare, atëherë edhe rreziku për ata që provojnë t’i thyejnë ato konvenca është tepër i madh, dhe kuptohet dora e fortë e pushteteve, gjithmonë, ka rënë rreptë mbi ata që kanë provuar t’i thyejnë ato. Në këto rrethana, mund ta paramendojmë jetën dhe veprën e Pavlovit. Kuptohet, kjo rrugë nuk ka qenë fare e lehtë, e madhështorja dhe kryesorja është se kësaj rruge ky poet i hyri me vetëdije të plotë.

Poeti e përjetoi rëndë dhunën e pushtetit abuziv komunist të Bullgarisë së kohës moniste. Ai e pësoi sepse poezisë së tij i dha liri të plotë e të pakufishme. Ai e liroi poezinë e tij, thuajse në tërësi, nga të gjitha normat të cilat i kishte ngritur ky pushtet, sado delikate e të ndjeshme qofshin ato, pra edhe kur ato norma janë të ndërlidhura shumëfish me ndjesi atdhetare, patriotike. Është e kuptueshme që rreziku më i madh për linçimin e për baltosjen e krijuesit është pikërisht kur konvencat ideologjike janë të ndërtuara në dyzim me elemente nacionale e patriotike. I tërë ky kombinim bëhet shumë toksik, shumë i rrezikshëm e madje shpeshherë edhe vdekjeprurës. Një shembull i tillë vërtetues është edhe komunizmi në Shqipërinë e para demokracisë. Si do të mund të ekzistonte e të mbijetonte komunizmi te shqiptarët pa këtë dyzim, pa këtë manipulim, pra pa këtë bashkëngjitje të elementit ideologjik komunist me atë patriotik. Thjesht do të ishte i pamundur apo vështirë të besohet se do të ekzistonte një diktaturë e tillë zhveshur nga propaganda e petkut kombëtar. E krijuesi, po provoi t’i lëndojë me vetëdije apo pa vetëdije njërin nga këta dy komponentë të kësaj propagande, atëherë ai do të bjerë në kurthin e kundërsulmit të të dyjave. Censura, linçimi e për fund edhe persekutimi, në këto raste, janë të garantuara.

Poeti Konstantin Pavlov në poezitë e tij nuk bën kompromis me asnjë normë të cilën ai e konsideron të panevojshme dhe robëruese për njeriun. Sepse, sipas Pavlovit, njeriu duhet të jetë i lirë me imagjinatën e vet dhe përgjithësisht jetën ta bëjë i lirë e jo i robëruar nga ideologjitë, aq më keq për rrethanat kur jetoi poeti, dogmatike, e për më tepër kur mbi atë dogmatizëm e kemi një kastë politike që dirigjon e sundon jetët e të tjerëve dhe kuptueshëm përfiton nga ata. Pra, poeti ideal të vetëm dhe kryesor e ka lirinë e pakushtëzuar, tipar ky i poetëve të mëdhenj.

Kuptohet që Pavlovit libri i tij i parë me poezi i titulluar “Poezi”, që me botimin e parë iu ndalua, ashtu siç u ndalua ky poet të botonte për më shumë se njëzet vjet.

Te poezia “Optimizëm elegjiak” poeti krijon iluzionin romantik të tërheqjes së individit nga qyteti në natyrë. Sakaq poeti romantizmin e idilin e tij e prish me satirë të fortë dhe të lidhur jashtëzakonisht mirë me konceptimin realist të situatës. Pra, pasi që bën një përshkrim imagjinar për një ambient ashtu të lehtë e të ngrohtë idilik, në vargjet e fundit poeti shpërthen me një shprehje hakmarrëse e shpotitëse për realitetin e kohës:

Në Kurilo kam një shtëpi të vogël të këndshme

Do të ndreq gardhin e vjetër

dhe do të rroj atje qetë, i padukshëm.

Në dimër do të meditoj

Në verë do të rris..

Çfarë do të rris?

Vetëm gjarpërinjtë lëvizin në barëra.

Do të rris gjarpërinj

Në vend të pëllumbave kasnec.

Asgjë nuk fiton me mirësinë.

Thonë se gjarpërinjtë

bëhen shumë të lidhur

Me të zotët e tyre.

Do t’i dërgoj ata

Si një favor të vogël

Te armiqtë e mi.

Në poezinë tjetër “Kompleksi i Edipit”, poeti me figurën e ironisë merr një detaj nga bota shtazore për të krijuar relacione dhe në fund për ta përplasur humanizmin me një sjellje shtazarake. Ironia e tërë kësaj qëndron te kontekstualiteti i ngjarjes, tek egërsia, marrëzia e padituria si damkë e karakteristikë e moralit:

Dy derrkucë

Shqelmojnë një fshikëz dose

Me ngulm,

E kanë fryrë atë

Dhe tani luajnë egërsisht.

Le ta shqelmojnë

Po pse me ngulm?

Le të luajnë

Po pse egërsisht?..

Nuk është top loje.

Nuk është ballon lodre.

Është fshikëza

E nënës së tyre

Therur nga fshatarët në mëngjes.

Poezia tjetër “Kapriço për Gojën” është e mbushur me figura të shumta ku mbizotëron paradoksi. Poeti niset nga nocione e nga koncepte e terminologji domethënëse që i shkojnë për shtati atmosferës së kohës dhe pastaj nga ajo atmosferë e ambient, poeti i vë fjalët për ta shpërfaqur një aktualitet absurd në Bullgarinë komuniste. Nuk duhet anashkaluar se në këto poezi mesazhet e motivet i kalojnë caqet e një ambienti të vetëm. Ato motive e ide gjithsesi janë universale.

Në vazhdën e absurditetit e paradoksales në shoqërinë komuniste të Bullgarisë së asaj kohe, poeti Konstantin Pavlov i rikontekstualizon edhe figurat mitike e religjioze.

Ai, për ta theksuar edhe më shumë rebelizmin e tij, nuk heziton që të vërë në lojë fenë, kishën:

Si, më pyesin

I kalove këto tre dekada në këtë plënc?

Edhe këtë e dini

Luaja letra

Me atë kumarxhiun, Xhonah të biblës

Madje ai këtë shpotitje e bën me një thjeshtësi të madhe, ashtu sikurse është duke biseduar me dikë.

Për poetin autoritetet e rreme apo çfarëdo qofshin ato nuk kanë kurrfarë vlere, madje ai sarkazmin e ironinë e tij e çon skajshmërish thellë. Një kritikë ideologjike do të mund të thoshte për këto poezi se janë provokim e blasfemi e tmerrshme shoqërore, por ja që poetit e poezisë i lejohet çdo gjë. Poeti i mirë e krijon një botë origjinale, sipas ëndrrave e iluzioneve të tij e sipas “rregullores unike poetike”, pa kushtetuta e pa ligje:

Është edhe kjo lëvizje gjithashtu

Po të isha shahist i mirë.

Do ta ktheja ushtarin

(që ka arritur katrorin

 e tetë)

as në mbretëreshë

as në kala

as në oficer

e as në kalë…

do ta ktheja ushtarin në një

qen

pastaj do t’i propozoja

barazimin

kundërshtarit tim, tashmë

të mundur

dëgjoj (sa mrekullisht)

ushtari leh

me miratim.

Paramendojeni këtë poezi dhe këtë poet në vitet e diktaturës komuniste. Poeti ishte i lodhur me tregimet për “të bëmat e të pa bëmat” e partizanëve komunistë të kohës dhe në një moment revoltohet, duke i shkruar këto poezi shpërthyese që të tronditin me guximin e tij prej poeti. S’do mend këto vargje e këta libra u ndaluan për më shumë se njëzet vjet, derisa regjimi komunist ra dhe kur, në fund si shpërblim, ky poeti u vlerësua dhe ende vlerësohet si njëri ndër poetët më të mirë e më brilanti në poezinë moderne bullgare, dhe jo vetëm në atë bullgare. Poezitë e Konstantin Pavlovit janë të përkthyera tashmë në shumë gjuhë të botës.