Për herë të parë në Kosovë është mbajtur një seancë gjyqësore përmes videolidhjes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues.
Seanca u zhvillua sot, në bashkëpunim të ngushtë mes Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë. I burgosuri, i cili ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, u paraqit në gjykim përmes videolidhjes, ndërsa seanca u udhëhoq nga gjyqtarja Fatime Dermaku nga ambientet e Gjykatës në Prishtinë.
“Kjo mënyrë e mbajtjes së seancave gjyqësore përmes videolidhjes synon lehtësimin e procesit gjyqësor, duke zvogëluar nevojën për transport fizik të të burgosurve drejt gjykatave, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin në procedura. Për realizimin e kësaj seance janë përdorur pajisje të avancuara audio dhe video për incizimin dhe regjistrimin e seancave gjyqësore. Këto pajisje, janë dhuruar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së Shërbimit Korrektues dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në fushën e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Tutje në njoftim theksohet se ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit korrektues dhe drejtësisë në vend, duke kontribuar në rritjen e sigurisë gjatë procedurave gjyqësore dhe duke përmirësuar aksesin e të burgosurve në proceset gjyqësore në mënyrë më efikase dhe të sigurt.