Real Madridi ka qenë tejet i zemëruar javëve të fundit me referimin në La Liga, duke nisur një kampanjë kundër gjyqtarëve spanjoll.
Megjithatë, pas një takimi me Komitetin e Gjyqtarëve, të paktën jozyrtarisht, tensioni mes “los Blancos” dhe gjyqtarëve është ftohur.
Menaxheri general, Jose Angel Sanchez dhe Sekretari i Bordit, Jose Luis del Valle Perez kanë qenë pjesë e një takimi me kreun e “CTA” (Komiteti i Gjyqtarëve), Luis Medina Cantalejo dhe kreun e Sistemit të VAR-it, Carlos Clos Gomez, takim ky që u mbajt këtë të hënë, në zyret e Federatës së Futbollit të Spanjës.
Del Valle Perez nënshkroi një letër prej katër faqesh të Real Madridit, që iu drejtuar Presidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës, Rafael Louzan, ku thuhej se gjyqtarët janë të korruptuar, të manipuluar dhe akuzonte se ata i kishin vjedhur Realit disa trofe.
Mirëpo, takimi ishte i relaksuar, pa tensione, pavarësisht se Real Madridi ishte tejet i zemëruar. Kështu shpjegoi Medina pas një takimi 90-minutësh me Real Madridin.
“Nëse do të ishim fjalosur, takimi do të zgjaste vetëm pesë minuta. Gjithçka kishte një klimë mirëkuptimi dhe mbi të gjitha kishte respekt”, tha ai për “MARCA”.
“Procedura ka qenë e njëjta si me të gjitha klubet tjera. Ne flasim për një lojë të vetme dhe për pasojat që kanë ndodhur, por për brenda, jo se janë secrete, por disa gjëra duhet të mbesin vetëm mes neve”, shtoi ai.
Pavarësisht takimit të qetë, Real Madridi ende beson se gjyqtarët janë kundër tij, raporton “MARCA”.
“Los Blancos” fillimisht kërkoi të dëgojë bisedën mes gjyqtarëve dhe dhomës së VAR-it, për ndërhyrjen e Carlos Romeros në Kylian Mbappen, për të cilën nga Reali besojnë se ishte karton i kuq.
Gjatë kohës sa ishin aty, ata biseduan edhe për vendime të tjera.
Derisa, kreu i gjyqtarëve spanjoll, Medina konfirmoi se kartoni i kuq i Jude Bellinghamit nuk ishte pjesë e diskutimit në atë takim, shton në raportin e saj “MARCA”.
Real Madridi beson se referimi nuk ishte i drejtë në ndeshjen ndaj Osasunas, të cilën Reali barazoi 1-1, duke rrezikuar të humb vendin e parë në tabelë, me një fitore të Barcelonës sonte ndaj Rayo Vallecanos./GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...