Real Madrid po hyn në një epokë të re premtuese nën drejtimin e Xabi Alonsos, por sfida më e vështirë deri më tani i pret të mërkurën mbrëma, kur kampionët aktualë të Evropës, Paris Saint-Germain, do të jenë pengesa e fundit drejt finales së Kupës së Botës për Klube.
Pavarësisht formës mbresëlënëse së fundit, një njollë e vetme la shije të hidhur në ndeshjen ndaj Borussia Dortmund: kartoni i kuq i drejtpërdrejtë për Dean Huijsen në minutat shtesë, pasi ndali në mënyrë të palejuar Serhou Guirassy brenda zonës. Thibaut Courtois e shpëtoi Realin me pritjen e penalltisë, por Alonso tani përballet me një dilemë në prapavijë për përballjen me PSG.
Sipas Diario AS, trajneri bask tashmë ka marrë vendimin: Raul Asencio do të rikthehet në formacionin titullar për herë të parë pas pezullimit të tij me karton të kuq në ndeshjen kundër Pachuca. Asencio kishte humbur vendin ndaj Antonio Rüdiger, por tani Alonso ka vendosur t’i japë sërish besim mbrojtësit të ri, pavarësisht një fillimi të vështirë nën drejtimin e tij – përfshirë një tjetër performancë të dobët ndaj Al-Hilal, ku shkaktoi penallti dhe u zëvendësua pas vetëm 45 minutash.
Ishte përfolur gjithashtu se Aurélien Tchouaméni mund të vendosej përkrah Rüdiger në qendër të mbrojtjes, por raportohet se francezi do të luajë në rolin e tij natyral në mesfushë, duke u përshtatur gjatë ndeshjes në varësi të nevojave taktike.
Në mungesë të Huijsen, një nga problemet kryesore për Realin do të jetë shmangia e presionit të lartë të PSG-së, pasi skuadra e Luis Enrique është e njohur për intensitetin në fazën sulmuese.
Por edhe trajneri i parisienëve ka kokëçarje: Willian Pacho dhe Lucas Hernandez morën kartonë të kuq në fundin e fitores ndaj Bayern Munich, dhe nuk do të jenë të gatshëm për gjysmëfinalen. Nuno Mendes do të rikthehet në krahun e majtë, ndërsa në vend të Pachos pritet të luajë Lucas Beraldo, 21-vjeçari që ende nuk ka përvojë në përballje të këtij niveli.
Dy gjysmëfinalistët përballen me mungesa të rëndësishme në mbrojtje, duke rritur edhe më shumë tensionin dhe emocionin për një përballje që pritet të jetë ndër më spektakolaret e këtij turneu./GazetaExpress/
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...