Real Madrid ka hartuar plane për të rikthyer të paktën dy prej lojtarëve të dalë nga “La Fabrica” gjatë merkatos së kësaj vere.
Konsiderohet pothuajse e sigurt që Nico Paz do të rikthehet nga Como, ndërsa edhe Jacobo Ramon mund të sillet sërish nga klubi i Serie A.
Megjithatë, ata mund të mos jenë rastet e vetme, pasi edhe Victor Munoz ka gjasa të rikthehet në “Santiago Bernabeu”.
22-vjeçari u largua nga Real Madridi verën e kaluar për t’iu bashkuar Osasunas, ku ka bërë paraqitje shumë të mira këtë sezon – gjë që e konfirmoi edhe të shtunën, kur ndëshkoi ish-klubin e tij në fitoren 2-1 të Osasunës në “El Sadar”.
Para asaj ndeshjeje, drejtori sportiv i Osasunës, Braulio Vazquez, konfirmoi për “DAZN” (përmes “Marca”) se Real Madridi ka një klauzolë riblerjeje shumëvjeçare për Munozin, i cili do të rikthehej te “Los Blancos” vetëm nëse do të konsiderohej titullar i ekipit të parë.
“Real Madrid ka një opsion riblerjeje për disa vite dhe, nëse e aktivizon, do të jetë për ta përfshirë në ekipin e parë. Ata janë një klub serioz në këtë aspekt. Ka 16 javë për të kryer një transferim dhe nuk mund ta transferosh sërish lojtarin në të njëjtin afat. Nëse e rikthejnë, është për ta pasur në ekipin e parë. Nuk është një manovër për ta rishitur, dhe historia e klubit e dëshmon këtë”, tha ai.
Mundësia e Real Madridit për ta rikthyer Munozin, i cili ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë eurosh në kontratën e tij, mund të kishte marrë fund në janar kur Sunderland shfaqi interes për sulmuesin anësor të Osasunës.
Fatmirësisht për të dy klubet, lojtari nuk kishte dëshirë të largohej nga “El Sadar”, siç konfirmoi Braulio.
“Duhet edhe vullneti i vetë lojtarit. Ai ka pasur disa mundësi, por në asnjë moment nuk e ka konsideruar largimin, sepse, siç kam thënë dhe siç ka theksuar edhe ai vetë, ndodhet në ambientin e duhur për të vazhduar rritjen”, e mbylli ai./GazetaExpress/