Real Madridi po planifikon të përforcojë disa zona të skuadrës së drejtuar nga Alvaro Arbeloa gjatë afatit kalimtar të verës.
Një nga prioritetet më të rëndësishme është mesfusha, pasi drejtuesit e klubit më në fund janë gati të mbushin boshllëqet e lëna nga Toni Kroos dhe Luka Modric.
Në muajt e fundit, zyrtarët e Real Madridit kanë hartuar një listë me disa objektiva për mesfushën.
Rodri Hernandez është dëshira kryesore, por duke qenë se Manchester City nuk ka plane ta shesë fituesin e Topit të Artë 2024, po shqyrtohen alternativa të tjera, mes tyre Adam Wharton dhe Chema Andres.
Tani në listë është shtuar edhe një emër i ri: Sandro Tonali.
Sipas Nicolo Schira (përmes “El Desmarque”), një delegacion skautësh nga Real Madrid ka udhëtuar këtë javë në Angli për të vëzhguar nga afër mesfushorin e Newcastle United, i cili do të luajë të shtunën (sonte) kundër Manchester City.
Tonali ka qenë një nga performuesit më të mirë në Premierligë që nga rikthimi i tij në gusht 2024 pas një pezullimi 10-mujor për shkelje që lidhen me baste.
Real Madridi është impresionuar shumë nga paraqitjet e tij dhe, së bashku me përvojën ndërkombëtare, aftësinë për të drejtuar lojën dhe faktin që është në një moshë ideale konkurruese, ai shihet si një opsion i fortë për të përforcuar ekipin.
Megjithatë, Newcastle United nuk do ta ketë të lehtë largimin e Tonalit.
Më parë ishte raportuar se italiani kishte kontratë deri në vitin 2028, por tani është konfirmuar se ai është i lidhur me klubin edhe për dy vite të tjera, deri në vitin 2030, që do të thotë se klubi anglez nuk është nën presion për ta shitur.
Për këtë arsye, raportohet se çmimi fillestar i kërkuar është rreth 120 milionë euro.
Real Madridi nuk ka dëshirë të paguajë një shumë kaq të lartë, por nëse çmimi mund të negociohet në zonën 80–90 milionë euro, atëherë një marrëveshje me Newcastle United mund të bëhet e mundur./GazetaExpress/