Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me fazën e së tetës së finales.
Kampioni aktual evropian, Manchester City dhe klubi më i suksesshëm evropian, Real Madrid, do të zbresin në fushën e blertë për t’i zhvilluar duelet e para përkatëse.
Në letër, si klubi anglez, ashtu edhe ai spanjoll, janë favoritë ndaj Copenhagen respektivisht Red Bull Leipzigut.
“Citizens” do ta vizitojnë sonte Danimarkën, ku i pret Copenhagen, e cila e mbylli si e dyta Gripin A, prapa Bayern Munichut, duke i lënë jashtë garës Manchester Unitedin dhe Galatasarayn, shkruan “Gazeta Express”.
Derisa në Danimarkë pjesa e dytë e sezonit nuk ka nisur ende, gjiganti i këtij shteti megjithatë është bërë gati për kampionin aktual anglez.
Natyrisht, pasi e ka ritmin e lojës, City e ka një përparësi edhe në këtë aspekt.
Këto dy skuadra ishin përballur mes vete dy herë në edicionin e kaluar pasi ishin në të njëjtin grup të Championsit, me “Qytetarët” që fituan një herë dhe një duel përfundoi baras.
Duhet cekur se City e mbylli fazën e grupeve me të gjitha ndeshjet e fituara.
E njëjta gjë vlen edhe për kampionin e 14 fishtë evropian, Real Madrid.
“Los Blancos” do të kenë punë me Leipzigun në udhëtim.
Ekipi i Carlo Ancelottit, i cili u shkëput në krye të La Ligas pas fitores 4:0 ndaj Gironës, do të mundohet të krijojë avantazh qysh në lojën e parë në Gjermani, shkruan “Gazeta Express”.
Madrilenëve do t’ju mungojë Jude Bellingham pasi ylli anglez u lëndua në fundjavë.
Leipzigu ishte në grup me Cityn dhe në të tetën e finales shkoi si i dyti.
Natyrisht, gjermanët janë të vetëdijshëm me fuqinë e madrilenëve në Evropë, por do të mundohen ta bëjnë mrekullinë në këtë fazë.
Ndeshjet e sontme do të fillojnë në orën 21:00. /Gazeta Express/