Real Sociedadi siguroi një vend në finalen e Kupës së Mbretit kundër Atletico Madridit, pasi mposhti 1-0 rivalët baskë të Athletic Bilbaos në “Reale Arena”, duke fituar 2-0 në total.
Atmosfera në derbin bask ishte elektrizuese dhe Athletic ishte pranë golit që në minutat e para me një goditje me kokë të Alex Berenguer që kaloi ngushtë jashtë.
Të dy skuadrat sulmuan vazhdimisht, ndërsa portieri Álex Padilla bëri një pritje të shkëlqyer për t’i mohuar golin Carlos Soler pas një goditjeje dënimi të bukur.
Rastet e pastra ishin të pakta, por Iñaki Williams për Athletic dhe Mikel Oyarzabal për Sociedadin udhëhoqën skuadrat me paraqitje të forta. Soler humbi një mundësi të artë para pushimit, duke gabuar përballë portierit.
Në pjesën e dytë, Athletic rriti presionin dhe iu afrua barazimit, por mbrojtësi Sergio Gómez ndërhyri në momentin vendimtar për të ndalur një rast të rrezikshëm.
Athletic vazhdoi të kërkonte golin, por duke u hedhur përpara, la hapësira për kundërsulme.
Goditja vendimtare erdhi katër minuta para fundit, kur Oyarzabal shënoi nga pika e bardhë, duke vulosur kualifikimin.
“La Real” tani ka mundësinë ta fitojë trofeun për herë të katërt në histori dhe për herë të parë që nga finalja e vitit 2020 (e luajtur në 2021).
Gjithashtu, kjo do të jetë paraqitja e tyre e parë në një finale me tifozë që nga viti 1988./GazetaExpress/