Real Madrid duhet të heqë një emër nga lista e përforcimeve: Enzo Fernández nuk do të largohet nga Chelsea. Këtë e ka bërë të qartë trajneri i ekipit londinez, Enzo Maresca, kur u pyet për raportimet gjithnjë e më të shumta që lidhin mesfushorin argjentinas me një transferim të mundshëm drejt “Santiago Bernabéu”.
Trajneri italian, i cili po ndërton një Chelsea të ri në fazë rindërtimi, nuk ka hezituar të mbrojë njërin nga shtyllat kryesore të skuadrës së tij. “Ai është një nga kapitenët tanë, një lojtar thelbësor në sistemin tonë,” deklaroi Maresca, duke mbyllur derën për çdo largim të mundshëm. Italiani vlerëson jo vetëm cilësitë teknike të Enzos, por edhe lidershipin dhe ndikimin që ai ka në fushë.
Me shtatë gola dhe trembëdhjetë asistime, Enzo ka qenë vendimtar këtë sezon, në të cilin Chelsea ende shpreson të fitojë trofeun e Conference League dhe të sigurojë një rikthim në Ligën e Kampionëve.
Pikërisht, ndeshja vendimtare kundër Nottingham Forest dhe finalja europiane ndaj Betisit do të mbyllin një sezon ku gjithçka tregon se “blutë” janë gati të rikthehen në elitën kontinentale. Ky kontekst vetëm sa përforcon bindjen e Marescës: Enzo jo vetëm që nuk është në shitje, por qëndrimi i tij është një përparësi absolute. Për Real Madridin, kjo është një goditje. Klubi madrilen ishte në kërkim të një mesfushori me cilësi organizative dhe ofensive, dhe sipas gazetës “AS”, kampioni i botës ishte profili ideal. Por në Londër nuk e marrin fare në konsideratë largimin e tij. Përveç nëse ndodh një kthesë e papritur, Enzo Fernández do të mbetet një nga motorët e Chelseat, dhe Florentino Pérez do të duhet të kërkojë diku tjetër./GazetaExpress/