Ka qenë një sezon shumë i vështirë për Real Madridin, i cili ka qenë larg formës së tij më të mirë gjatë nëntë muajve të fundit. Nuk ka qenë vetëm performanca kolektive ajo që ka lënë për të dëshiruar, por edhe disa lojtarë individualisht kanë hasur në vështirësi – dhe në muajt e fundit, njëri prej tyre ka qenë Jude Bellingham.
Pas një sezoni debutues sensacional me “Los Blancos”, gjatë të cilit u afirmua si një nga lojtarët më të mirë në botë, sezoni i dytë në “Santiago Bernabéu” ka rezultuar shumë më sfidues për Bellinghamin. Një ndër arsyet kryesore për rënien e tij në formë ka qenë ndryshimi i pozicionit në fushë.
Mesfushori anglez është vendosur më thellë në mesfushë – dhe së fundmi është aktivizuar në krahun e majtë, pas rikthimit të Carlo Ancelottit në sistemin 4-4-2. Megjithatë, Bellingham nuk ka arritur të ketë ndikimin e dëshiruar, dhe sipas “Marca”, paraqitjet e tij nën nivel kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit.
Real Madridi pret më shumë nga Bellingham në sezonin e ardhshëm, kur ai pritet të pësojë një tjetër ndryshim pozicioni nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso. Me lojtarë si Arda Güler që po shtyjnë për më shumë minuta dhe rol më të rëndësishëm, presioni mbi Bellingham është rritur për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë.
Nuk është për t’u habitur që forma e tij ka rënë ndjeshëm këtë sezon, duke marrë parasysh që që nga nëntori 2023, ai ka vuajtur nga një dëmtim shqetësues në shpatull. Plani është që ai t’i nënshtrohet një operacioni gjatë verës, edhe pse ende nuk është përcaktuar nëse ndërhyrja do të bëhet para apo pas Kupës së Botës për Klube.
Real Madrid vazhdon të besojë në Bellingham, por është e qartë që ai duhet të rrisë nivelin e tij përpara turneut – nëse do të jetë pjesë e ekipit gjatë verës.