Real Madridi e ndal Atletico Madridin, hapet gara për titull në La Liga - Gazeta Express

Futboll

Gazeta Express

07/03/2021 18:18

Real Madridi e ndal Atletico Madridin, hapet gara për titull në La Liga

Futboll

Gazeta Express

07/03/2021 18:18

Real Madridi e ka ndalur liderin Atletico Madrid me barazim 1:1 falë një goli të vonshëm të Karim Benzemas, duke bërë që gara për titull në La Liga të bëhet edhe më e hapur tani.

Luis Suarez e kaloi Atleticon në epërsi herët në pjesën e parë në Wanda Metropolitano, megjithatë Benzema ia shmangu humbjen Realit dhe nuk e lejoi rivalin dhe liderin të shkëputet edhe më shumë në garë për titull duke e shënuar golin e barazimit në çastet e fundit të dielën, raporton Gazeta Express.

Atletico mbetet lider tani me 59 pikë, tri më shumë se Barcelona në vendin e dytë dhe pesë më shumë se Reali në pozitën e tretë.

Skuadra e Diego Simeones, megjithatë, e ka zhvilluar një ndeshje më pak se dy rivalët e saj dhe rrjedhimisht e ka mundësinë ta rrisë epërsinë ndaj tyre në krye të La Ligës edhe më shumë.

Skuadra e Zinedine Zidane e kishte topin në kontroll shumicën e kohës dhe ishte më kërkuese së vendasit, që zbatuan lojë mbrojtëse siç pritej.

Por ishte Atletico që shënoi i pari, kur Marcus Llorente asistoi për Suarezin që e mposhti Thibaut Courtoisin me një goditje mjeshtërore pas një kundërsulmi tipik të vendasve në minutën e 15-të.

Atletico ka mundur ta dyfishonte epërsinë dhe të shënonte edhe më shumë pothuajse çdo herë që dilte në kundër sulm, por portieri belg bëri disa pritje vendimtare ndaj Suarezit dhe Llorentes për ta mbajtur Realin në lojë.

Megjithatë, pas shumë përpjekjeve, Benzema ia doli ta barazojë rezultatin në minutën e 88-të, pas një kombinimi fantastik me Casemiron. Paraprakisht, Oblak ia kishte mohuar golin francezit duke i pritur dy goditje të tij të njëpasnjëshme nga afërsia./Gazeta Express/