Real Madrid pritet të bëjë të paktën katër përforcime këtë verë, por nëse gjithçka shkon sipas planit të klubit, një emër i pestë mund të bashkohet me skuadrën e Xabi Alonso.
Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold janë tashmë në listën e afrimeve, ndërsa pritet t’u bashkohen së shpejti edhe Alvaro Carreras dhe talenti argjentinas Franco Mastantuono. Megjithatë, synimi më ambicioz i radhës është mesfushori i Real Sociedad, Martin Zubimendi.
Në javët e fundit, Real Madrid ka shfaqur interes të madh për Zubimendi, të cilin e shohin si lojtarin ideal për të forcuar repartin e mesfushës në sezonin e parë të Alonso si trajner. Por pavarësisht kësaj, Zubimendi ka rënë dakord për kushtet personale me Arsenalin dhe pritet të transferohet në Premier League gjatë kësaj vere.
Gjithsesi, marrëveshja me Arsenalin nuk do të zyrtarizohet para muajit korrik, dhe kjo shtyrje i jep Real Madridit një dritare mundësie, të cilën klubi madrilen është i vendosur ta shfrytëzojë.
Sipas Diario AS, drejtuesit e “Los Blancos” kanë vendosur të bëjnë një përpjekje të fundit për të siguruar shërbimet e reprezentuesit spanjoll. Zubimendi është mesfushori i vetëm që Xabi Alonso ka kërkuar me ngulm, dhe për këtë arsye është marrë vendimi për ta ndjekur me prioritet.
Raportet tregojnë se vetë Zubimendi do të preferonte të qëndronte në Spanjë, çka i jep Real Madridit një shpresë për të prishur marrëveshjen me Arsenalin. Megjithatë, klubi nuk është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 60 milionë eurosh që është në kontratën e tij me Real Sociedad, ndaj po kërkon një rrugë alternative.
Madridistët planifikojnë të ofrojnë huazimin falas të një ose dy lojtarëve të tyre te La Real, në këmbim të një tarife të reduktuar për transferimin. Por nëse kjo ofertë nuk pranohet, Real Madrid do të duhet të marrë një vendim përfundimtar nëse do të paguajë klauzolën, duke ditur që Arsenali është i gatshëm ta bëjë këtë.
Një tjetër pengesë për madrilenët është paga – Zubimendi do të duhet të pranojë një rrogë më të ulët se ajo që e pret në Londër. Megjithatë, optimizmi në radhët e Real Madrid mbetet i lartë, dhe gjithçka mund të vendoset në javët e ardhshme.
aaaaa