Real Madrid vazhdon të jetë referenca financiare në futbollin botëror, duke kryesuar tabelën e fundit të Deloitte Football Money League për sezonin 2024/25.
Të 20 klubet kryesore gjeneruan 12.4 miliardë euro, një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, me të ardhurat komerciale që kryesuan sërish rritjen.

Los Blancos udhëhoqën renditjen me 1.16 miliardë euro, falë kryesisht marrëveshjeve të reja të sponsorizimeve dhe shitjeve. Barcelona u rikthye në vendin e dytë me 975 milionë euro, pavarësisht se po luan larg Camp Nou-t gjatë rinovimit të stadiumit.
Në podium vazhdojnë Bayern Munich (861 mln €) dhe Paris Saint-Germain (837 mln €), por lajmi kryesor në Angli ishte Liverpooli.
Me 836 milionë euro, “The Reds” janë klubi më fitimprurës anglez për herë të parë, falë titullit në Premier League, kthimit në Champions League dhe përdorimit të zgjeruar të Anfield për ngjarje.
Manchester City bie në vendin e gjashtë (829 mln €), Arsenal mban të shtatin (822 mln €), ndërsa Manchester United bie në të tetin (793 mln €) pas një sezoni jashtë Champions League dhe me paraqitje të dobët në Premier League.
Të ardhurat komerciale arritën 5.3 miliardë euro, duke mbetur burimi kryesor për vitin e tretë rradhazi, ndërsa të ardhurat nga ndeshjet u rritën 16% në 2.4 miliardë euro, dhe transmetimet televizive u rritën 10% falë zgjerimit të kompeticioneve UEFA dhe Kupës së Botës për Klube.
Raporti thekson gjithashtu rritjen e futbollit femëror, me Arsenal Women në krye të renditjes së Deloitte me 25.6 milionë euro, para Chelsea Women dhe Barcelona Femení, duke reflektuar rritjen e pjesëmarrjes dhe mbështetjes komerciale.
Tim Bridge nga Deloitte tha:
“Klubet më të larta po fokusohen më shumë në zhvillimin e të ardhurave komerciale dhe maksimizimin e potencialit të markës dhe stadiumeve të tyre. Nga birrat në vend, hotelet dhe restorantet, klubet po diversifikojnë të ardhurat dhe krijojnë destinacione argëtimi gjatë gjithë vitit.”
Jennifer Haskel shtoi për futbollin femëror:
“Rritja e sportit femëror kërkon kohë, investim dhe përpjekje për të zhvilluar bazat e duhura, duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për lojtarët dhe tifozët.” /GazetaExpress