Edhe pse Real Madrid njihet për transferimet e bujshme, në vitin 2020 kur Zinedine Zidane ishte ende trajner, klubi humbi mundësinë për të nënshkruar me tre futbollistë që sot konsiderohen ndër më të mirët në botë.
Mes tyre janë edhe yje aktualë të Arsenal dhe Liverpool.
1️⃣ Kai Havertz (Arsenal)
Në verën e vitit 2020, Real Madrid kishte identifikuar Kai Havertz si një objektiv të madh për të përforcuar mesfushën dhe sulmin.
Gjermani atëherë ishte një yll i ri në rritje te Bayer Leverkusen, por përfundoi duke kaluar te Chelsea për një shumë të madhe.
Gjatë tre sezoneve në Londër, momenti më i madh i tij ishte goli i finales së Champions League kundër Manchester City në 2021.
Pas një periudhe të luhatshme te Chelsea, Havertz tani është kthyer në një pjesë të rëndësishme të Arsenal-it të Mikel Artetës. Edhe pse humbi fundin e sezonit të kaluar për shkak të një dëmtimi, ai shihet si një element kyç në ndërtimin e skuadrës së “Topçinjve”.
2️⃣ Florian Wirtz (Liverpool)
Në të njëjtën kohë, Zidane kishte kërkuar edhe shërbimet e Florian Wirtz, i cili sapo kishte kaluar nga FC Köln te Bayer Leverkusen në janarin e 2020-ës.
Që nga ajo kohë, Wirtz është bërë një nga talentet më të mëdhenj në Europë. Vetëm sezonin e kaluar, ai udhëhoqi Leverkusen drejt titullit historik në Bundesliga pa asnjë humbje, duke shënuar 57 gola dhe dhënë 65 asistime në 197 paraqitje për klubin.
Pas këtij sezoni magjik, Liverpool e siguroi shërbimin e tij për një shumë që mund të arrijë deri në £116.5 milion me bonuse. Ai shihet si një nga lojtarët që mund të shndërrojë ofensivën e “The Reds” në sezonet e ardhshme.
3️⃣ Nuno Mendes (PSG)
Emri i tretë është Nuno Mendes. Në 2020, Real Madrid kishte ndjekur nga afër mbrojtësin e majtë të Sporting Lisbon, por nuk arriti të finalizonte transferimin.
Vetëm një vit më vonë, ai u transferua te PSG, fillimisht në huazim dhe më pas përfundimisht.
Pas disa sezoneve të mira në Francë, sezoni i kaluar ishte ai i shpërthimit të tij të plotë. Ai ishte vendimtar në suksesin e PSG në Champions League, duke shënuar në të dy ndeshjet e çerekfinales ndaj Aston Villa dhe ndihmoi klubin të fitonte tripletën (Liga, Kupa, Champions League).
Në finale ata shkatërruan Interin 5-0, ndërsa në verë Mendes fitoi edhe UEFA Nations League me Portugalinë, ku shënoi në finale dhe realizoi penalltinë e fundit.
Çfarë humbi Real Madrid?
Nëse këto transferime do të ishin finalizuar në 2020, sot Real Madrid mund të kishte një skuadër edhe më të fuqishme, të ndërtuar për të dominuar Europën për vite me radhë. Në vend të tyre, yjet e ardhshëm përfunduan te rivalë të drejtpërdrejtë si Arsenal, Liverpool dhe PSG.
Skuadra aktuale e Real Madrid
Pavarësisht këtyre mungesave historike, këtë verë Real Madrid është treguar sërish aktiv duke transferuar: Trent Alexander-Arnold (nga Liverpool), Dean Huijsen (nga Bournemouth), Álvaro Carreras (nga Benfica) dhe Franco Mastantuono (nga River Plate).
Po ashtu, ata vazhdojnë të kërkojnë një mesfushor të madh nga Premier League si përforcim të fundit. /GazetaExpress/