Organizata GERMIN ka reaguar ndaj përmendjes së emrit të saj në njoftimin e Prokurorisë Speciale lidhur me aktakuzën ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një zyrtari tjetër të kësaj ministrie.
Në një reagim publik, GERMIN e ka cilësuar këtë përmendje si “të padrejtë, të pabazuar dhe të dëmshme”, duke theksuar se organizata nuk ka pasur dhe nuk ka kurrëfarë marrëdhënie kontraktuale apo financiare me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR).
“Prokuroria, me ose pa qëllim, ka lënë të kuptohet se kinse GERMIN ka përfituar mjete financiare në kundërshtim me procedurat ligjore për financimin e OJQ-ve. Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë”, thuhet në deklaratën e organizatës.
GERMIN thekson se reputacioni i saj është ndërtuar me integritet ndër vite dhe se përfshirja në mënyrë të padrejtë në një aktakuzë dëmton seriozisht imazhin dhe punën e saj.
Organizata kërkon nga mediat që të bazohen në deklarata zyrtare dhe nga institucionet që të jenë të kujdesshme në përmendjen e organizatave të shoqërisë civile në procese të ndjeshme gjyqësore.
Në fund, GERMIN rithekson angazhimin e saj të pavarur dhe transparent në fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe përfaqësimin pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.