Reagon Finlanda pasi Rusia tha se do t'ia ndërpresë furnizimin me energji elektrike - Gazeta Express
string(82) "reagon-finlanda-pasi-rusia-tha-se-do-tia-nderprese-furnizimin-me-energji-elektrike"

Reagon Finlanda pasi Rusia tha se do t’ia ndërpresë furnizimin me energji elektrike

Lajme

Gazeta Express

14/05/2022 10:02

Operatori rus i energjisë elektrike, RAO Nordic, thotë se do të pezullojë dërgesat e elektricitetit në Finlandë nga kjo e shtunë, duke thënë se shkak për këtë janë problemet me pagesat për dërgesat e mëparshme.

Nga ana tjetër, operatori finlandez i energjisë tha se merrte nga Rusia vetëm 10% të elektricitetit dhe do të mund ta zëvendësonte me burime të tjera, kryesisht nga Suedia.

Lexo Edhe:

Të enjten, Rusia kërcënoi se do të merrte masa pasi Finlanda deklaroi se kishte në plan të bashkohej me aleancën ushtarake të NATO-s.

Vendimi i RAO Nordic duket se ka lidhje pikërisht me këtë fakt, pasi sipas deklaratës së vetë kompanisë ruse, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej 20 viteve që të dy vendet bashkëpunonin në këtë drejtim.

Muajin e kaluar, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz drejt Bullgarisë dhe Polonisë, pasi këto shtete nuk pranuan të kryenin pagesat në rubla, një vendim i marrë nga Rusia për të përballuar sanksionet e vendosura nga Perëndimi.

Finlanda ndan me Rusinë një kufi tokësor rreth 1300 kilometra të gjatë dhe më parë ka preferuar të qëndrojë jashtë NATO-s për të shmangur problemet me fqinjin lindor. Por që prej pushtimit të Ukrainës, mbështetja publike për t’u bërë pjesë e NATO-s është rritur ndjeshëm. Të dielën pritet që Finlanda të shpallë zyrtarisht objektivin për t’u bashkuar me atë që konsiderohet si aleanca ushtarake më e madhe në botë./A2CNN