Reagon BIK-u: Komunikata e Speciales për Thaçin e Veselin, veprim politik - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

11/08/2020 14:51

Me i fundit

dpt

Reagon BIK-u: Komunikata e Speciales për Thaçin e Veselin, veprim politik

Lajme

Gazeta Express

11/08/2020 14:51

Pas gati dy muajsh nga dita kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, BIK-u e konsideron komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë si veprim politik që dëmton vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës dhe kauzën dhe misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën”, thuhet në postimin e BIK-ut.

BIK-u thotë se ky veprim i Speciales përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë.

“Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje. E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë”, thuhet në postim.

Ndryshe, më 24 qershor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave. Në njoftimin nga Haga thuhet se një gjykatës i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë. /Gazeta Express