Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të skandalizuar nga nënshkrimi i fundit i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Sigurimit Pensional të Republikës Serbe (RS). Në një moment kur Bosnjë e Hercegovina është nën presion të vazhdueshëm nga forcat separatiste, ky hap i pamenduar paraqet rrezik për legjitimimin e entiteteve që hapur e minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Sipas rregullave, niveli i bashkëpunimit dhe pala përkatëse e Maqedonisë së Veriut janë institucionet në nivel shteti të BeH, e jo entitetet. Anashkalimi i institucioneve të shtetit të BeH minon besimin dhe stabilitetin në rajon.
Nëse është vendosur të shkohet drejt një bashkëpunimi entitetesh, atëherë Qeveria është dashur që të njëjtin memorandum ta nënshkruajë edhe me Federatën e Bosnjë e Hercegovinës si dhe me Distriktin e Brçkos, për të pasur një balancë të besueshme. Mbi të gjitha, ky veprim është një fyerje për sovranitetin, statusin ndërkombëtar dhe diplomacinë e Maqedonisë së Veriut, e cila, në pamundësi për të bashkëpunuar me shtete partnere në përputhje me orientimet tona strategjike, po reduktohet në bashkëpunëtore të krahinave dhe entiteteve problematike. Ky veprim i Qeverisë sjell disa pasoja shqetësuese nga këndvështrimi pragmatik dhe juridiko-ndërkombëtar:
1. Nxitje e shkëputjes (secesionit)
Me nënshkrimin e këtij dokumenti dërgohet një mesazh që mund të interpretohet vetëm si mbështetje për ambiciet separatiste të Republikës Serbe, të orkestruara nga ish-presidenti i dënuar Milorad Dodik. Në një kohë kur Dodik po përballet me fundin e karrierës së tij politike, është plotësisht i izoluar, kërcënon me destabilizim të plotë të rajonit, kërkon shkëputje jokushtetuese dhe rrënon çdo parim demokratik mbi të cilin qëndrojnë demokracitë moderne duke mos respektuar vendimet e gjykatave të Bosnjës e Hercegovinës që e shpallën fajtor, Maqedonia e Veriut po e përdor reputacionin e saj të fituar me mund për ta faktorizuar atë dhe regjimin e tij në kurriz të qytetarëve. Ky veprim, në një kohë të stabilitetit të brishtë në Ballkan, është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, jologjik dhe në kundërshtim me interesat strategjike të Maqedonisë së Veriut. Kjo vetëm e dëshmon se vendimet për politikën ndërkombëtare në këtë shtet formalisht merren në Shkup, por në fakt diktohen dhe konceptohen në Beograd.
2. Kërcënim për interesat e Maqedonisë së Veriut
Do të ishte disi e kuptueshme sikur Qeveria të zgjidhte partnerë të dyshimtë, por për të mirën e qytetarëve në fund të ditës. Nëse do të bëhej fjalë për një fond të njohur, me modele moderne investimi, solvent dhe financiarisht stabil, atëherë së paku do të mund të argumentohej se Qeveria nuk zgjedh mjete kur është në pyetje e mira e qytetarëve. Por nuk është ky rasti, përkundrazi, është shumë larg. Fondi i pensioneve i Republikës Serbe është i ngarkuar me borxhe enorme dhe po përballet me krizë serioze financiare prej kohësh si rezultat i shpërdorimeve të qëllimshme nga Dodik dhe strukturat e tij që përpiqen ta delegjitimojnë shtetin e Bosnjës e Hercegovinës dhe t’i shkaktojnë dëm financiar. Lidhja e sistemit pensional të Maqedonisë së Veriut me një partner kaq të paqëndrueshëm i ekspozon në rrezik fondet e pensionistëve tanë dhe vë në pikëpyetje stabilitetin financiar të shtetit. Një hap i tillë do të ndërmerrej vetëm nga dikush ekstremisht i paditur ose një vasal i verbër i Beogradit. Qeveria duhet të bëjë publike nëse është e para apo e dyta.
3. “Rilindja Jugosllave” si justifikim për nxitjen e “Botës Serbe”
Veçanërisht skandaloze është deklarata e drejtorit të Fondit, Nikola Memov, i cili e trajton Republikën Serbe në BeH si shtet të pavarur dhe nënshkrimin e këtij dokumenti e paraqet si pjesë të “rregullimit të marrëdhënieve me vendet e ish-Jugosllavisë”. Republika Serbe nuk është shtet – ajo është entitet brenda shtetit ndërkombëtarisht të njohur të Bosnjës e Hercegovinës, dhe krijimi i saj, sipas të gjitha vendimeve të Tribunalit të Hagës, lidhet me fushata të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj boshnjakëve, që kontribuuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, e jo në ruajtjen e saj. Memov nuk po merr pjesë në ndonjë fushatë të padëmshme jugonostalgjike, por po i jep vrull forcave që e shkatërruan Jugosllavinë dhe kontribuuan në stagnimin e tërë rajonit. Kujtojmë se, sipas të gjitha orientimeve tona strategjike, Maqedonia e Veriut e ndërton rrugën e saj jo mbi hijet e së kaluarës, por mbi të ardhmen – përmes implementimit të reformave dhe vlerave europiane – dhe nuk duhet të bëhet pjesë e projekteve retrograde për “Botën Serbe” që përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë e tërë rajonit.
Thirrje për përgjegjësi
I bëjmë thirrje udhëheqjes së Qeverisë dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor që menjëherë të rishqyrtojnë hapat e tyre, të pezullojnë zbatimin e këtij memorandumi dhe publikisht të konfirmojnë përkushtimin e patundur të Maqedonisë së Veriut ndaj së ardhmes europiane dhe respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës e Hercegovinës.
tag_katrorimaqedoni_2