Reagojnë mbi 50 organizata: Dehari instrument i bllokadës, Gjykata ishte e qartë, zgjedhja e kryetarit me votim të hapur - Gazeta Express
string(117) "reagojne-mbi-50-organizata-dehari-instrument-i-bllokades-gjykata-ishte-e-qarte-zgjedhja-e-kryetarit-me-votim-te-hapur"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 15:47

Reagojnë mbi 50 organizata: Dehari instrument i bllokadës, Gjykata ishte e qartë, zgjedhja e kryetarit me votim të hapur

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 15:47

Mbi 50 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që Kuvendi të mos “mbahet peng”, në një reagim të përbashkët në të cilin u tha se “bllokada institucionale po e cenon rendin demokratik”.

Ndërsa e konsiderojnë të “domosdoshëm” aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, OJQ-të thonë se ajo “theksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues”.

“Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”, thuhet në ragim.

Kryesuesi i seancë konstituive të Kuvendit, Avni Dehari “ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare”, thonë organizatat e shoqërisë civile.

“Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”, thuhet në reagim.

Me veprimet e tij, ato konsiderojnë se Dehari “nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës”. “Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive”.

“Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit”, thuhet në reagim.

“Për më tepër, krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje”, thuhet tutje në reagim.

Më datë 28 qershor, në vazhdimin e seancës konstituive, “u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thonë këto OJQ.

“Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues”.

“Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional”, thuhet në reagim.

Kuvendi “nuk është pronë e askujt”, theksojnë OJQ-të. “Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis”.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar”, thuhet në fund të reagimit.