Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, e ka pranuar se Bayern Munich ishte ekip më cilësor në humbjen e skuadrës së tij 3:0 në ndeshjen hapëse në grup në Ligën e Kampionëve të martën.
Bayerni e mbizotëroi plotësisht Barcelonën dhe e mposhti lehtësisht 3:0 në Camp Nou, në takimin e parë mes tyre që prej humbjes turpëruese të katalonasve në çerekfinalen e para dy sezoneve, raporton Gazeta Express.
Pas ndeshjes, Koeman e pranoi se gjiganti gjerman ishte më i mirë në fushë por edhe u ankua për mungesat me të cilat u përballë ekipi i tij.
Sergio Aguero, Ansu Fati dhe Ousmane Dembele munguan për shkak të lëndimeve.
“Unë i kisha vetëm tre sulmues sonte. Taktikisht, kishte çaste në të cilat në ishim në kontroll. Nuk mund të ankohem për qasjen e lojtarëve të mi, por dallimi ishte në cilësi”, tha Koeman.
“Bayerni ka një ekip që ka goxha kohë që luan bashkë dhe po ashtu e ka një bankë të rezervistëve të përmirësuar”, shtoi ai.
Barcelona do të përballet me Benficën në ndeshjen e dytë në Grupin E në Ligën e Kampionëve./Gazeta Express/