Hugo Ekitike shënoi në fitoren e Liverpoolit kundër Evertonit, ndërsa një video e reagimit të Alexander Isak ndaj golit të tij në derbin e Merseyside është bërë virale online pas triumfit të madh të “The Reds”.
Liverpooli mposhti Evertonin 2-1 të shtunën, duke siguruar jo vetëm tri pikë të rëndësishme në kampionat, por edhe krenarinë e qytetit.
Ryan Gravenberch hapi serinë e golave dhe më pas asistoi Ekitike-n, i cili shënoi me qetësi brenda zonës për të dyfishuar avantazhin. Idrissa Gueye ngushtoi rezultatin, ndërsa Jack Grealish shprehu pakënaqësi për një vendim të gjyqtarit.
Trajneri Arne Slot bëri ndryshime për derbin, duke lënë në stol Florian Wirtz dhe Isak, të cilët kishin startuar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madrid. Ai vendosi të aktivizonte Ekitike si titullar, dhe francezi i shpërbleu besimin duke gjetur rrugën e rrjetës.
Goli i tij u festua edhe nga Isak, i cili u pa duke reaguar me entuziazëm teksa ngrohej në vijën anësore.
Çfarë tha Ekitike pas ndeshjes
Duke folur për TNT Sports, Ekitike u shpreh për konkurrencën me Isak:
“Është një lojtar shumë, shumë i mirë,” tha ai për suedezin. “E kam ndjekur edhe më herët. Për mua, fakti që ai është këtu është diçka e mirë.
“Mund të mësoj dhe të përmirësohem. Është konkurrencë, por e di që do të luajmë bashkë dhe do të bëjmë diferencën. Shpresoj që një ditë ta ndajmë fushën. Për mua është diçka e mirë, pastaj kjo është puna e trajnerit. Unë thjesht bëj detyrën time.”
Isak celebrating Hugo’s goal. ❤️ pic.twitter.com/ONYea0AyCM
— Samuel (@SamueILFC) September 20, 2025
Çfarë tha Slot për “dy numrat 9”
I pyetur për konkurrencën mes dy sulmuesve, Slot u përgjigj:
“Nuk kam asnjë dhimbje koke. Madje mendoj se të dy janë shumë të lumtur që i kemi. Ndoshta në planin afatgjatë do të mendojnë për minutazhin, por të dy e dinë që është e vështirë të luajnë tre herë në javë nga 90 minuta.
“Hugo është 22 vjeç, vjen nga një ligë tjetër me intensitet ndryshe. Ndërsa Alex nuk është ende gati të luajë 90 minuta rregullisht, e lëre më dy ose tre herë në javë. Ne po përpiqemi ta sjellim atje, për sa kohë që mbetet i shëndetshëm.”
Trajneri holandez shtoi:
“Është mirë të kesh dy opsione. Kjo vlen për çdo pozicion. Për këtë arsye Premier League është e veçantë – ka kaq shumë lojtarë të shkëlqyer. Dhe po, ne kemi dy numra 9 shumë të mirë, ashtu si edhe shumë ekipe të tjera në këtë ligë.”
Ekitike tani ka shënuar 4 gola në 7 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon.
Ndërsa Isak ende nuk e ka gjetur golin e parë me Liverpoolin, pasi ka zhvilluar vetëm dy ndeshje pas transferimit rekord nga Newcastle United. /GazetaExpress/