Sot, Sali Berisha njoftoi zyrtarisht kandidaturën e Florjan Binajt për zgjedhjet e parakohshme vendore në Tiranë, duke e prezantuar atë si përfaqësuesin që do të mbështetet nga Partia Demokratike.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kreu i PD-së e vlerësoi Binajn si një artist të angazhuar dhe zë të fuqishëm të qytetarëve në mbrojtje të kauzave publike.
“Ftoj aleatët dhe opozitarët, qytetarët, të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit,” – u shpreh Berisha, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të opozitës përballë sfidës së Tiranës.
Por ndërkohë që politika ziente, rrjetet sociale shpërthyen nga të qeshurat falë një reagimi plot humor të këngëtarit dhe fituesit të “Big Brother VIP”, Luiz Ejlli.
Në një Instastory që bëri xhiron e rrjetit, Luizi publikoi një video ku ndiqte me kureshtje fjalimin e Berishës dhe shpalljen e kandidatit. Në fund të videos, ai shtoi me stilin e tij karakteristik:
“Ua thash se tha emrin tim, për Zotin!”
Kjo shprehje e shkathët e Luizit, duke lënë të kuptohej me shaka se për një moment kishte menduar se kandidati do të ishte ai vetë, u prit me entuziazëm nga ndjekësit. Postimi gjeneroi komente plot humor, meme dhe shpërndarje të shumta në rrjetet sociale, duke kthyer momentin e politikës në një episod të paharrueshëm argëtues për publikun.
Ndjekësit e Luizit nuk kursyen batutat, duke e vlerësuar talentin e tij për të nxjerrë humor edhe nga situatat më serioze politike, ndërsa reagimi i tij bëri që shpallja e kandidaturës të merrte edhe një dimension të ri mediatik dhe virale. /GazetaExpress/