Reagime të shumta pas mbytjes së rreth 1.500 delfinëve - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 15:59

Reagime të shumta pas mbytjes së rreth 1.500 delfinëve

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 15:59

Edhe mbrojtësit më të zëshëm të gjuajtjes së balenave në Ishujt Faroe e kanë dënuar atë që e kanë cilësuar si “masakër mizore e të panevojshme” të rreth 1.500 delfinëve të dielën.

Delfinët u dërguan në ujëra të cekëta të plazhit Skalabotnur të ishullit Eysturoy dhe u lanë duke u përpëlitur disa orë para se të mbyteshin, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Grupi “Sea Shepherd”, që ka bërë fushatë kundër gjuajtjes tradicionale të delfinëve nga vitet e tetëdhjeta, pretendoi se rasti i së dielës ishte “mbytja më e madhe e delfinëve në historinë e ishujve”.

Sidoqoftë, kësaj here, shkalla e mbytjes së delfinëve ishte e atij niveli, saqë shumë banorë të Ishujve Faroe, të cilët shpesh e shohin gjahun si pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore, shprehën neveri.

“Më vjen të vjell që e shoh këtë gjë”, tha një komentues në Facebook në faqen e një televizioni lokal. Një tjetër shkroi: “Më vjen turp që jam banor i Ishujve Faroe.”

Heri Petersen, drejtor i një shoqate lokale të peshkimit, tha se në gji u grumbullua numër tepër i madh i delfinëve në një distancë shumë të gjatë, ndërsa kishte shumë pak njerëz për t’i mbytur ata, duke ua zgjatur vuajtjen.

“Jam i tmerruar me atë që ndodhi. Delfinët u mbajtën në plazh duke u përpëlitur për një kohë shumë të gjatë para se të mbyteshin”, tha ai për një faqe lokale të lajmeve.